Përfaqësuesi i Lëvizjes Studentore, Mevlan Ademi, ka reaguar ndaj fjalimit të ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, i cili sot nga foltorja e Kuvendit paralajmëroi se gjatë muajit tetor do t’i ftojë në takim studentët dhe dekanët e fakulteteve juridike shqiptare për të diskutuar çështjen e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, shkruan gazeta KOHA.
Ademi e ka rikujtuar qëndrimin e mëhershëm të Shasivarit, të shprehur në cilësinë e profesorit universitar, kur kishte vlerësuar se 385 studentëve shqiptarë, qytetarë të Maqedonisë së Veriut, po u mohohej një e drejtë kushtetuese dhe ligjore.
“Duke privuar 385 studentë shqiptarë, qytetarë të Maqedonisë, nga e drejta e tyre kushtetuese dhe ligjore”, kishte deklaruar më herët Shasivari, citon Ademi.
Përfaqësuesi i studentëve thotë se ishte pajtuar plotësisht me Shasivarin kur ai, si profesor, pohonte se studentëve shqiptarë po u mohohej një e drejtë kushtetuese. Sipas Ademit, Shasivari atëherë kishte theksuar se paraardhësi i tij në Ministrinë e Drejtësisë kishte kompetencë të plotë për ta plotësuar rregulloren dhe për të garantuar barazinë gjuhësore gjatë organizimit të provimit.
Ademi rikujton edhe një deklaratë tjetër të mëhershme të Shasivarit, në të cilën ai kundërshtonte lidhjen e provimit të jurisprudencës me gjuhën në të cilën zhvillohen aktualisht procedurat gjyqësore.
“Nuk ka asnjë procedurë të vetme gjyqësore në asnjë gjykatë të Maqedonisë të udhëhequr edhe në gjuhën shqipe, por kjo nuk i jep të drejtë ministrit, z. Filkov, që ta ndërlidhë çështjen e provimit të jurisprudencës me gjuhën në të cilën aktualisht udhëhiqen procedurat gjyqësore”, kishte deklaruar Shasivari. Sipas Ademit, qëndrimi i sotëm se për zgjidhjen e kësaj çështjeje nevojitet miratimi i një ligji të ri bie ndesh me deklaratat e mëhershme të ministrit.
“Por tani na doli se për këtë qenka i domosdoshëm ligji. Pra, kjo bie ndesh me atë që vetë ai e ka thënë më herët”, deklaroi Ademi. Ai theksoi se studentët nuk kanë nevojë për shpjegime shtesë lidhur me gjuhën dhe të drejtën e tyre, por presin zgjidhje konkrete institucionale.
“Mua dhe kolegëve të mi shpjegimi për gjuhën dhe të drejtën tonë nuk na nevojitet. Ministri as nuk duhet të lodhet të na bindë që ta pranojmë diskriminimin në vitin 2026. Ne jemi të bindur se të drejtat tona po shkelen në mënyrë të përsëritur”, tha Ademi.
Në fund, ai i bëri thirrje ministrit të Drejtësisë që ta rishqyrtojë qëndrimin e tij dhe të rikthehet te pikëpamjet që kishte mbrojtur më parë. “Uroj që ministri Shasivari të reflektojë dhe të kthehet te qëndrimi që dikur kishte profesori Shasivari”, përfundoi Ademi. (koha.mk)
