Afër 1,2 milionë denarë kanë shpenzuar çerdhet, shkollat fillore dhe të mesme në Komunën e Tetovës për avokatë dhe përmbarues në 16 muajt e fundit.
Nga Open Finance, rezulton se vetëm gjatë periudhës 03.04.2025–27.08.2026, disa shkolla dhe institucione arsimore të Komunës së Tetovës kanë realizuar 40 pagesa për avokatë dhe përmbarues, në vlerë të përgjithshme prej 1.162.516 denarësh.
Vetëm avokati Viktor Stojanovski që vite më parë ka qenë udhëheqës sektori në komunën e Tetovës nga radhët e VMRO- DPMNE, ka pranuar 521.930 denarë nga disa institucione, ndërsa Shoqëria e Avokatëve Markovski & Partners nga Shkupi ka pranuar 375.531 denarë.
Këto të dhëna ngrenë disa pyetje që kërkojnë përgjigje:
Për cilat raste konkrete janë bërë këto pagesa?
Sa procese gjyqësore kanë pasur shkollat dhe pse?
Sa prej tyre kanë përfunduar në favor të mësimdhënësve apo punonjësve?
A janë zbatuar vendimet gjyqësore në kohë, apo vonesat kanë krijuar shpenzime shtesë për përmbarues?
Kush i ka përzgjedhur keta avokatë dhe sipas cilave kritere?
Kush mban përgjegjësi kur vendimet e gabuara të drejtuesve përfundojnë si faturë për buxhetin e shkollave?
Askush nuk thotë se çdo pagesë për shërbime juridike është e paligjshme. Shkollat mund të kenë nevojë për përfaqësim ligjor. Por kur të njëjtët avokatë angazhohen nga disa institucione dhe kur shpenzimet kalojnë mbi një milion denarë, transparenca dhe llogaridhënia bëhen të domosdoshme.
Në Tetovë veprojnë afër 140 avokatë, shqiptarë dhe maqedonas. Prandaj është e drejtë të pyetet nëse përzgjedhja është bërë mbi bazën e profesionalizmit, apo sipas ndonjë direktive politike duke marrë parasysh afërsinë politike të disa prej tyre në të kaluarën me partinë VMRO-DPMNE që aktualisht është në pushtet.
Paratë e shkollave duhet të përdoren para së gjithash për nxënësit, mësimin dhe përmirësimin e kushteve. Nuk po ngremë akuza pa prova. Po kërkojmë që të publikohen kontratat, autorizimet, faturat, lëndët gjyqësore dhe rezultatet e tyre.
Qytetarët kanë të drejtë të dinë për çfarë dhe pse janë shpenzuar këto para publike.
