Delegacioni i Komandës së Përbashkët të Forcave Aleate të NATO-s në Napoli (Joint Force Command Naples – JFCNP), i kryesuar nga komandanti, admirali Xhorxh M. Vikof, nga dje, 9 shtator 2026, qëndron për vizitë dyditore të vendit dhe Armatës tonë.
Në kuadër të vizitës, së bashku me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjeneral-majorin Sashko Lafçiski zhvillova takim me admiralin Vikof, njoftoi në profilin e tij në Fejsbuk zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski. Në njoftimin e tij, ai më tej shtoi:
“Në takime u diskutua për situatën aktuale të sigurisë në rajon, realizimin e objektivave të kapaciteteve të NATO-s, mundësitë për zhvillimin e aktiviteteve stërvitore në territorin e Maqedonisë së Veriut, si dhe avancimin e ndërveprueshmërisë dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në kuadër të Aleancës”, shtoi Nikolloski.
Gjithashtu, admirali Vikof u informua për mundësitë që ofron vendi ynë, si një shtet në rajon që përfaqëson një kryqëzim gjeografik të disa korridoreve të transportit, ndërsa Armata ka një rol të rëndësishëm në realizimin e mobilitetit, shpejtësisë, iniciativës, qëndrueshmërisë dhe thellësisë strategjike të Aleancës.
Në kuadër të vizitës, admirali Vikof theksoi përkushtimin e vendit tonë si kontribuues aktiv në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë së rajonit, duke theksuar profesionalizmin dhe kontributin e Armatës së Maqedonisë në aktivitetet e udhëhequra nga NATO.
Në takime u konfirmua gjithashtu edhe rëndësia e një qasjeje të përbashkët dhe të koordinuar në kuadër të Aleancës në përballjen me sfidat bashkëkohore të sigurisë.
