BallinaLajme100 eurot e Bilall Kasamit: premtimi ishte në qershor, arsyetimi erdhi në...

100 eurot e Bilall Kasamit: premtimi ishte në qershor, arsyetimi erdhi në shtator!

www.telegrami.mk

BDI-ja në opozitë, kësaj radhe, mbase ka kapur një pikë ku kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, duhet të japë përgjigje konkrete dhe jo vetëm arsyetime.

Në qershor u tha: 100 euro për çdo nxënës që nis klasën e parë.
Shkolla filloi. Prindërit pritën. 100 eurot nuk erdhën.

Pastaj erdhi shpjegimi: xhirollogaria e Komunës është e bllokuar nga përmbaruesit.

Mirë. Por këtu lind pyetja që Bilall Kasami nuk mund ta kalojë me një deklaratë politike: a e dinte në qershor se Komuna kishte xhirollogari të bllokuar dhe borxhe që po ekzekutoheshin përmes përmbaruesve?

Nëse e dinte – dhe sigurisht që një kryetar komune duhet ta dijë gjendjen financiare të institucionit që drejton – atëherë pse premtoi 100 euro pa u treguar qytetarëve kur do të paguheshin dhe si do të siguroheshin paratë?

Sepse premtimi për 100 euro është shumë i lehtë për t’u bërë para kamerave. Problemi fillon ditën kur duhet të bëhet pagesa.

Dhe këtu kemi një paradoks interesant: Komuna paska qenë me llogari të bllokuar, por premtimet paskan qenë me llogari të hapur!

Kasami thotë se brenda dy muajve do të shlyhen borxhet e fundit ndaj përmbaruesve dhe pastaj do të bëhen pagesat për filloristët.

Qytetarët, megjithatë, kanë të drejtë të pyesin:

Nëse për 100 eurot e filloristëve nuk mund të kryhet pagesa për shkak të xhirollogarisë së bllokuar, si po kryhen pagesat për ndërtimin e rrugëve, asfaltimet, punët publike dhe obligimet e tjera të Komunës?

Nga cila llogari paguhen?
Me çfarë procedure?
Cilat kompani janë paguar?
Kur janë paguar?
Sa janë borxhet aktuale?
Sa para janë nën përmbarim?
Dhe sa prej tyre janë obligime të vjetra e sa janë krijuar gjatë mandatit aktual?

Sepse qytetari nuk kërkon magji financiare. Kërkon transparencë.

Nëse llogaria është e bllokuar, atëherë Kasami duhet t’u shpjegojë qytetarëve mekanizmin financiar përmes të cilit Komuna vazhdon të realizojë dhe paguajë projekte.

Nuk mjafton të thuhet: “E kemi trashëguar nga e kaluara.”
Përmbaruesit mund të jenë trashëgimi. Borxhet mund të jenë trashëgimi. Por premtimi për 100 euro ishte vendim dhe premtim i qeverisjes së sotme.

Prandaj, BDI-ja le ta bëjë opozitën deri në fund dhe ta kërkojë dokumentacionin. Ndërsa Kasami le të mos përgjigjet me politikë, por me shifra, vendime, urdhërpagesa dhe dokumente.

Sepse në fund të fundit, prindi i një filloristi nuk ha premtime.

Ai pret 100 eurot.

Dhe qytetari i Tetovës pret edhe diçka tjetër: të dijë si paguhet një rrugë kur xhirollogaria është e bllokuar, ndërsa një fillorist ende pret 100 eurot e premtuara.

Kjo është pyetja që nuk zgjidhet me konferenca për shtyp.

Zgjidhet me transparencë financiare...www.telegrami.mk

============================

Mesut Shabani

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments