BallinaLajmePOLICIA E TETOVËS: KRIMINALITETI RRITET 6%, POR ZBARDHJA E RASTEVE ARRIN NË...

POLICIA E TETOVËS: KRIMINALITETI RRITET 6%, POR ZBARDHJA E RASTEVE ARRIN NË 87%

Sektori për Punë të Brendshme Tetovë ka prezantuar sot para Këshillit të Komunës së Tetovës raportin për gjendjen e sigurisë gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026. Sipas raportit, në gjashtë muajt e parë të vitit janë regjistruar 622 vepra penale, 6 për qind më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Megjithatë, policia ka rritur efikasitetin në zbardhjen e rasteve, nga 84 për qind në vitin 2025 në 87 për qind këtë vit. Janë parashtruar 492 kallëzime penale kundër 616 kryerësve.Në kriminalitetin klasik janë regjistruar 528 vepra penale, 20 për qind më shumë se vitin e kaluar. Por, në disa forma të rëndësishme të kriminalitetit pronësor është shënuar rënie e madhe. Vjedhjet e rënda kanë rënë me 70 për qind, nga 70 në vetëm 21 raste, ndërsa nuk është regjistruar asnjë grabitje, krahasuar me tre raste në vitin 2025.

Në kriminalitetin ekonomik janë zbuluar 68 vepra penale, me 47 kallëzime kundër 66 personave. Ndër veprat më të shpeshta janë shkretimi i pyllit, uzurpimi i paluajtshmërive, ndërtimi pa leje dhe transporti publik pa licencë. Në këtë fushë, policia evidenton një rënie prej 36 për qind të funksionit zbulues.

Në kuadër të kontrolleve ndaj shtetasve të huaj, janë realizuar 7 aksione në objekte hotelerike, ku janë kontrolluar 55 persona. Për 17 persona janë kërkuar procedura kundërvajtëse dhe janë shqiptuar gjoba dhe masa dëbimi.

Në luftën kundër drogës janë zbuluar 18 vepra penale, ndërsa janë konfiskuar marihuanë, kokainë dhe heroinë. Për armët janë zbuluar 5 vepra penale, ndërsa janë konfiskuar armë, municion dhe mjete të tjera. Janë konfiskuar gjithashtu 2.906 fishekzjarre dhe 31 mjete piroteknike.

Një nga sfidat kryesore mbetet rendi dhe qetësia publike. Janë regjistruar 188 kundërvajtje, që paraqet rritje prej 59 për qind. Më të shpeshta janë grindjet dhe britmat, sjellja e pacipë dhe sulmet fizike. Policia e lidh këtë rritje edhe me numrin e madh të banorëve dhe personave që qëndrojnë në qytet, objektet hotelerike dhe praninë e dy universiteteve.

Në komunikacion janë regjistruar 323 aksidente, 0.3 për qind më pak se vitin e kaluar. Në to janë lënduar 271 persona, ndërsa nuk është regjistruar asnjë viktimë, krahasuar me një viktimë në vitin 2025. Megjithatë, aksidentet me pasoja më të rënda janë rritur nga 166 në 191 raste. Shpejtësia e madhe vazhdon të jetë shkaku kryesor.

Gjatë kontrolleve në trafik janë konstatuar 9.041 kundërvajtje, ndërsa nga komunikacioni janë përjashtuar 791 shoferë.

Në fund, SPB Tetovë ka kërkuar bashkëpunim më të madh me Komunën, veçanërisht për rendin dhe qetësinë publike, kontrollin e objekteve hotelerike dhe përmirësimin e sigurisë në komunikacion.

 Ndër propozimet kryesore janë krijimi i një trupi të përbashkët mes policisë, inspektoratit komunal dhe sektorit të hotelerisë, vendosja e masave për ngadalësimin e trafikut pranë shkollave dhe në pikat kritike, si dhe forcimi i projekteve preventive dhe fushatave për ndërgjegjësimin e qytetarëve.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments