Në pikën kufitare Tabanoc, në dalje nga Maqedonia e Veriut, edhe gjatë mbrëmjes së kaluar u krijuan kolona të gjata automjetesh dhe kaos i madh në komunikacion. Shkak për pritjet është zbatimi i kontrolleve të reja për automjetet me targa të huaja që kanë kryer kundërvajtje në territorin e vendit.Automjetet që kanë lëvizur nëpër Korridorin 10 ose në autostradat e tjera dhe janë regjistruar duke kryer kundërvajtje evidentohen automatikisht nga sistemi. Nëse automjeti figuron në bazën e të dhënave, drejtuesi ndalohet gjatë daljes nga vendi dhe nuk mund ta vazhdojë udhëtimin pa e paguar gjobën.
Sistemi për njohjen automatike të targave është lidhur me pikat kufitare. Kamerat inteligjente janë vendosur në pjesët kryesore të Korridorit 10, nga Gjevgjelia deri në Kumanovë dhe Tabanoc, dhe regjistrojnë tejkalimin e shpejtësisë, kalimin në semafor të kuq dhe kundërvajtje të tjera.
Kur një automjet i regjistruar për kundërvajtje arrin në kufi, policisë kufitare i shfaqet njoftimi në sistem. Automjeti largohet nga kolona e rregullt, ndërsa drejtuesit i dorëzohet procesverbali dhe urdhërpagesa për kundërvajtjen.
Për tejkalim të shpejtësisë nga 10 deri në 30 kilometra në orë, gjoba mund të arrijë deri në 30 euro, ndërsa në raste të caktuara, me pagesë të menjëhershme, shuma mund të ulet në 10 euro. Për kundërvajtje më të rënda, gjobat mund të arrijnë deri në 300 euro.
Për shkelje të rënda, si tejkalimi mbi vijë të plotë ose kalimi në semafor të kuq, mund të parashikohen edhe masa shtesë ndaj drejtuesit.
Në një moment, në korsinë e posaçme në drejtim të Serbisë kishte rreth 60 automjete, drejtuesit e të cilave duhej të kryenin procedurat dhe të paguanin detyrimet para se të largoheshin nga Maqedonia e Veriut.
Një informacion i rëndësishëm për udhëtarët është se gjobat në pikën kufitare mund të paguhen vetëm me kartë bankare dhe jo me para të gatshme.
Për të zvogëluar kaosin dhe pritjet e gjata, mbrëmë në Tabanoc u vunë në funksion tetë pika të posaçme për pagesën e gjobave të regjistruara nga sistemi “Safe City”.
Sipas informacioneve të publikuara, procedura e kontrollit dhe pagesës së gjobës zgjaste rreth 15 minuta për një drejtues automjeti.
Vendosja e pikave shtesë erdhi pas kolonave kilometrike që u krijuan me fillimin e kontrolleve të automjeteve me targa të huaja. Shumë udhëtarë reaguan në rrjetet sociale, duke u ankuar se kishin qëndruar të bllokuar për disa orë duke pritur të dilnin nga vendi.
