Trembëdhjetë vjet pasi u vu në funksion dhe pas problemeve të shumta me rrjedhjet e ujit, ndërtesa e Teatrit Kombëtar Maqedonas (TKM), e ndërtuar në stilin barok, po i nënshtrohet një rinovimi rrënjësor, shkruan Prizma, përcjell Nistori.
Tenderin, me vlerë mbi 560 mijë euro, e fitoi kompania “Martin Engineering”. Sipas kontratës, kompania duhet që brenda tre muajve të rinovojë dy tarracat në anën jugore dhe perëndimore të ndërtesës, të ndërhyjë në hapësirat e brendshme, të riparojë karriget dhe të zëvendësojë qilimin.
Sipas dokumentacionit të tenderit, bëhet fjalë për një ndërhyrje rrënjësore, gjatë së cilës tarracat praktikisht do të “zhveshen” deri në pllakën e betonit. Të gjitha shtresat sipërfaqësore do të hiqen, ndërsa shkallët hyrëse të vendosura në pjesën e fasadës së tarracës do të çmontohen dhe largohen. Më pas do të vendoset hidroizolim i ri.
Për të ruajtur pamjen ekzistuese të ndërtesës, do të vendosen shtylla dhe elemente të reja dekorative të gardhit. Sipas dokumentacionit, të ashtuquajturat “balustrada”, përkatësisht elementet dekorative të gardhit, duhet të jenë prej materiali të lehtë dhe të mbrohen me bojë poliakrilike rezistente ndaj ujit.
Në një pjesë të teatrit do të çmontohet tavani ekzistues i varur prej gipsi dhe më pas do të rindërtohet. Edhe gjatë lyerjes së mureve duhet të ruhet pamja ekzistuese. Sipas specifikimit, duhet të përdoret “ngjyrë me efekt mëndafshi, me reflektim të dritës – me ngjyrë dhe nuancë të njëjtë me atë ekzistuese ose ekuivalente
Punimet duhet të realizohen në përputhje me vizatimet, specifikimet teknike dhe rekomandimet e prodhuesit, ndërsa për to duhet të merret edhe miratimi i organit mbikëqyrës të TKM-së.
Krahas këtyre ndërhyrjeve, do të hiqet qilimi i vjetër dhe do të vendoset një i ri, ndërsa do të riparohen edhe 700 karrige, të cilat janë amortizuar.
Kontraktori duhet të ofrojë garanci dyvjeçare për punimet e realizuara.
Drejtori i TKM-së, Nikolla Kimovski, konfirmoi për BIRN-in se punimet ndërtimore po fillojnë këto ditë. Ai pret që ato të përfundojnë deri në fillimin e sezonit të ri teatror, duke shfrytëzuar periudhën e verës për ndërhyrjet ndërtimore, kur teatri nuk është në funksion.
Sipas Kimovskit, bëhet fjalë për zgjidhjen e plotë të problemeve me të cilat përballet ndërtesa, si në pjesën e jashtme, ashtu edhe në atë të brendshme.
BIRN-i raportoi që në vitin 2020 se ndërtesa e teatrit në Shkup, e cila kushtoi pothuajse 40 milionë euro, po përballej me probleme serioze me rrjedhjet e ujit.
Për vite me radhë, në holl qëndronte një kovë e madhe e zezë për mbledhjen e ujit. Në tavan kishte një vrimë të madhe, prej së cilës ishte hequr llambadari, ndërsa lagështia kishte dëmtuar muret dhe në disa pjesë vareshin kabllo. Gjatë viteve janë bërë përpjekje për sanimin e problemeve, por ndërhyrjet kryesisht kanë qenë të pjesshme dhe nuk kanë ofruar zgjidhje afatgjatë.
Teatri ishte pjesë e projektit “Shkupi 2014” dhe në ndërtimin e tij morën pjesë disa kompani. Kontratat kryesore për punimet ndërtimore iu dhanë kompanive “Beton” nga Shtipi, “Strabag AG”, “Lamone Moreda” dhe “Konstruktor”.
