BallinaLajmeToshkovski: Kushdo që ka faj për helmimin e ujit në Gostivar do...

Toshkovski: Kushdo që ka faj për helmimin e ujit në Gostivar do të përgjigjet

 Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski sot në një konferencë për shtyp në Gostivar deklaroi se përgjegjësinë për rastin me ujin në këtë qytet do ta mbajë kushdo që, duke kryer ose duke mos kryer veprime të përcaktuara me ligj, ka kontribuar në këtë situatë. Ai theksoi se një numër i madh personash janë thirrur për intervista në lidhje me rastin dhe po ndërmerren veprime të shumta hetimore në kuadër të urdhrave të lëshuara nga Prokuroria Publike.

“Përgjegjësia do të kërkohet absolutisht nga secili, i cili do të dëshmohet, pavarësisht nëse me kryerje apo me mosveprim, se kanë bërë diçka që nuk duhet ta bënin ose nuk kanë bërë diçka që duhet ta bënin, të gjithë për të cilët ka faj të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, e thashë këtë edhe dje”, tha ministri Toshkovski, i cili është edhe kreu i Komitetit Drejtues për Koordinim dhe Menaxhim të Sistemit të Menaxhimit të Krizave, sot pas mbledhjes së Shtabit Qendror të Krizave të mbajtur në Gostivar, duke u përgjigjur në pyetje gazetareske.

Ai thekson se autoritetet janë të detyruara ta bëjnë këtë, por brenda kuadrit të një procedure ligjore, në të cilën do të respektohen rregullat, dhe jo, siç shtoi ai, sikur të ishim në Perëndimin e Egër.

Lidhur me mënyrën se si janë kryer analizat e ujit, në periudhat kohore të përcaktuara tashmë, dhe se si nuk janë përcaktuar devijime nga vlerat normale gjatë muajit të kaluar deri para disa ditësh, Toshkovski theksoi se pikërisht për këtë arsye janë këtu dhe po merren të gjitha këto masa për të sqaruar rastin.

“Shikoni, as unë, as ju, as të gjithë njerëzit që janë këtu sot nuk jemi këtu sepse në Gostivar po çelin trëndafila, por sepse kemi një problem dhe po përpiqemi ta zgjidhim dhe po e zgjidhim. Dhe nga aspekti i asaj që duhet të jetë kyçe, vënia në funksion e një furnizimi normal me ujë, së pari me ujë teknik, e pastaj me ujë të pijshëm, dhe nga aspekti i asaj që duhet të nënkuptojë përgjegjësia, të gjithë ata që kanë bërë gabim duhet të mbajnë përgjegjësi. Ky është një mësim për të gjithë të tjerët që të mendojnë dy herë se çfarë do të bëjnë në jetë në të ardhmen, veçanërisht kur bëhet fjalë për jetën dhe shëndetin e qytetarëve të Maqedonisë, çdo maqedonas, shqiptar, turk, vlleh, rom, serb, boshnjak dhe të gjithë të tjerëve që jetojnë në vendin tonë”, tha Toshkovski.

Ai theksoi se duhet t’i jepet fund proceseve që zhvillohen në mënyrë paushall dhe në bazë të asaj kujt si do t’i kujtohet.

“Njëherë e përgjithmonë, duhet të ketë procedura, rregulla loje dhe një mënyrë pune që duhet të garantojë standarde të përshtatshme në interes të qytetarëve tanë. Nëse veprojmë kështu në të ardhmen, nuk do të kemi probleme të tilla. Nëse veprojmë siç kemi bërë deri më tani, do t’i kemi përsëri dhe nuk do të kemi mësuar asgjë nga mësimet e jetës që i kemi lënë pas. Tani është thelbësore të zgjidhet problemi në aspektin e sigurimit të ujit teknik për qytetarët e Komunës së Gostivarit, dhe më pas të ujit të pijshëm. Ministria e Punëve të Brendshme, Prokuroria Publike dhe të gjitha organet hetimore që janë të përfshira në procesin e përcaktimit të gjendjes faktike dhe sigurimit të llogaridhënies, me qëllim që në fund të arrihet drejtësia, do ta bëjnë punën e tyre. Më besoni. Ne kemi treguar shumë herë deri më tani se puna mund të bëhet nëse duam. Do ta tregojmë këtë edhe në këtë rast”, theksoi Toshkovski.

Nga 30 ditë paraburgim morën, tre të dyshuarit Artan Asani, Leon Uredini dhe Vadedin Dervishi nga Gostivari, të cilët mbajnë pozicione të larta drejtuese në ndërmarrjen komunale të Gostivarit.

Kjo masë u shqiptua nga gjykatësi në një procedurë paraprake në Gjykatën Themelore në Gostivar, Qirko Mihajloski, pardje, ndaj tre të dyshuarve që akuzohen se janë përgjegjës për epideminë e helmimit në komunën e Gostivarit, të shkaktuar nga uji i pijshëm dhe për instalimin ilegal të pompave në një kanal kullues, gjë që çoi në përzierjen e ujit.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Gostivarit dhe njëherësh gjykatëse penale, Dragoslava Veselinova, në konferencën për shtyp pardje theksoi se kolegu i saj Mihajloski e ka pranuar propozimin e Prokurorisë Publike dhe i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh dhe ka nxjerrë vendimin KPP 237/26. Veselinova gjithashtu deklaroi se vendimet për paraburgim u janë dorëzuar të dyshuarve, dhe të dyshuarit do ta vuajnë masën e paraburgimit në Qendrën Korrektuese të Shkupit – Burgu i Shkupit.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments