BallinaLajmeKlekovski i kritikoi për komentet mbi epideminë në Gostivar, reaguan Panovski, Beçarovski...

Klekovski i kritikoi për komentet mbi epideminë në Gostivar, reaguan Panovski, Beçarovski dhe Risteski

Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, në një deklaratë i quajti “kalorës të lirë të epidemisë” mjekët që në media dhe rrjetet sociale komentojnë rastin e ndotjes së ujit në Gostivar. Ai kritikoi mjekët që nuk janë epidemiologë apo infektologë, por japin deklarata për rastin, duke u bërë thirrje qytetarëve që t’u besojnë vetëm informacioneve zyrtare të institucioneve. Sipas tij, autoritetet e kanë situatën nën kontroll, transmeton Portalb.mk.

“Do të lutesha të mos ketë kalorës të lirë të epidemisë. Shoh edhe mjekë që nuk janë epidemiologë dhe infektologë, por japin këshilla dhe mendime të ndryshme. E di që situata të tilla janë tërheqëse për klikime dhe mbledhje pëlqimesh, por do t’i lutesha qytetarëve të ndjekin udhëzimet zyrtare dhe kanalet zyrtare të informimit”, tha Klekovski.

Ai theksoi se Ministria e Shëndetësisë po e monitoron situatën dhe se Klinika për Sëmundje Infektive disponon panelin më të gjerë për zbulimin e baktereve dhe viruseve, duke shtuar se nuk ka virus që nuk mund të detektohet. Klekovski paralajmëroi se uji do të vihet sërish në përdorim vetëm kur të jetë i sigurt.

“Nuk janë konstatuar agjentë që do të shkaktonin ndryshim të pasqyrës klinike pas kësaj situate. Nga rezultatet që kam parë, bëhet fjalë për viruse dhe baktere që shkaktojnë menjëherë simptoma klinike, siç janë problemet me stomakun dhe temperatura”, tha Klekovski.Mjeku Nikolla Panovski, i cili ditët e fundit ka komentuar në disa media rastet e helmimit të banorëve të Gostivarit, pas deklaratës së Klekovskit publikoi një reagim në profilin e tij në Facebook, duke u kërkuar gazetarëve që të mos i kërkojnë më deklarata.

“I bëj thirrje publike ministrit të Shëndetësisë që t’i paralajmërojë mediat të mos më kërkojnë më këshilla dhe deklarata. Pas paraqitjeve të mia publikohen video të shkurtra, pasojnë pëlqime e të tjera. Pëlqimet nuk varen nga unë, por nga mediat. Deri tani kam dhënë deklarata për Telma, Sitel, Kanal 5, TVM, Alsat, Radio Maqedonase, kam dhënë intervistë për 24 Vesti, Sloboden Peçat dhe shumë media të tjera, ndërsa shumë të tjerave u kam kërkuar falje për shkak të mungesës fizike. TV Alfa nuk ka nevojë ta njoftoni, ata e dinë punën e tyre. Nga sot le të kërkojnë deklarata ekskluzivisht nga epidemiologët dhe infektologët. Do t’ju isha shumë mirënjohës, sepse vërtet e kam të vështirë t’i refuzoj, ndërsa ata këmbëngulin. Përndryshe, këshillën time të parë, që të shpallej epidemi, e pranuat pas 10 orësh, ndonëse duhej të shpallej dy ditë më herët. Këshillën time të dytë, që menjëherë të publikohen rezultatet, Prokuroria Themelore Publike e pranoi pas 10 orësh. Në fund, pse persona që nuk janë fare mjekë japin deklarata dhe përgjigjen ‘hipotetikisht’ për bakteret fekale, edhe pse nuk janë doktorë të mjekësisë. Këshilla ime e fundit është që, krahas epidemiologëve dhe infektologëve, të angazhoni edhe stomatologë”, shkroi Panovski.

Me reagim ndaj deklaratës së Klekovskit u paraqit edhe toksikologu Niko Beçarovski, i cili në rrjetet sociale komentoi informacionin për nivelin e rritur të arsenikut në ujin e Vallandovës.

“Duke qenë se jam vetëm një nga tre superspecialistët e toksikologjisë klinike në Maqedoninë e Veriut, i lejova vetes që t’u jap publikisht këshilla qytetarëve të Valandovës”, shkroi ai.

Pas Panovskit dhe Beçarovskit reagoi edhe onkologu Milan Risteski, i cili vazhdoi me këshilla, duke publikuar mesazhin:

“Ky postim i gjatë nuk është për pëlqime, por ua kushtoj të gjithë kolegëve që kanë dhënë dhe kanë kaluar provimet e mikrobiologjisë, sëmundjeve infektive dhe epidemiologjisë pa lidhje dhe pa ndikim nepotist”, shkroi Risteski, si epilog i postimit të tij të gjatë në Facebook.

Ndryshe, në Gostivar është shpallur epidemi të problemeve gastrointestinale, pas paraqitjes së numrit të lartë të i qytetarëve me simptoma si diarre, të vjella dhe dehidratim.

Kujtojmë se me propozim të Prokurorisë, Gjykata Penale në Gostivar shqiptoi 30 ditë paraburgim për tre të dyshuarve për ndotjen e ujit në sistemin e ujësjellësit në Gostivar. Gjykatësja Dragoslada Veselinova tha se duke pasur parasysh dënimin e paraparë me ligj që iu ngarkohet të dyshuarve sanksionohet me të paktën 4 vjet burg, ndërsa, shtoi ajo nëse lihen të mbrohen në liri, ekziston rreziku që ata të arratisen ose të ndikojnë te dëshmitarët.

Inspektorët e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, së bashku me policinë dhe përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, konstatuan se në tubacionin kryesor ishte vendosur në mënyrë të paligjshme një pompë që fuste drejtpërdrejt ujë nga lumi Vardar. Kontrolli u krye pas njoftimit të prokurorit publik për shkak të dyshimeve se uji ishte ndotur, pas ankesave të qytetarëve. Më pas, uji u ndalua për pirje.

Prokuroria Publike më 20 korrik shpalli rezultatet e analizave, të cilat treguan se në ujë kishte pasur 48 herë më shumë baktere se vlerat e lejuara.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments