BallinaLajmeLSDM: KE konfirmon presionin e pushtetit mbi gjyqësorin dhe prokurorinë

LSDM: KE konfirmon presionin e pushtetit mbi gjyqësorin dhe prokurorinë

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) ka akuzuar Qeverinë e udhëhequr nga VMRO-DPMNE se po ushtron presion sistematik mbi gjyqësorin dhe prokurorinë, duke iu referuar, siç thotë, konstatimeve të Raportit më të fundit të Komisionit Evropian për sundimin e ligjit. Në një komunikatë për media, LSDM thekson se raporti i Komisionit Evropian konfirmon vlerësimet që kjo parti, sipas saj, i ka ngritur prej muajsh në opinion. “Komisioni Evropian në raportin e tij më të ri për sundimin e ligjit qartë dhe pa asnjë dilemë konstaton ndërhyrje dhe presion mbi gjyqësorin dhe prokurorinë nga përfaqësues të pushtetit. Kjo nuk është një vërejtje e përgjithshme, por një diagnozë e drejtpërdrejtë dhe serioze për gjendjen në të cilën ndodhet sistemi i drejtësisë në Maqedoni”, thuhet në reagimin e LSDM-së.Partia opozitare thekson se raporti paralajmëron për ndikim politik mbi sistemin e drejtësisë dhe rikthim të rrezikut të pandëshkueshmërisë. “Komisioni paralajmëron se ndryshimet në Kodin Penal sërish krijojnë hapësirë për pandëshkueshmëri, se ekziston ndikim politik mbi procedurat e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe se pavarësia e sistemit gjyqësor është seriozisht e rrezikuar”, thekson LSDM.Sipas partisë, këto vërejtje vijnë në një periudhë kur Maqedonia e Veriut duhet të përmbushë standardet më të larta në fushën e sundimit të ligjit për të avancuar në procesin e integrimit evropian.

LSDM akuzon se gjendja e evidentuar në raport është pasojë e politikave të Qeverisë së kryeministrit Hristijan Mickoski. “Ajo që Komisioni Evropian e identifikon si problem sistemik është pikërisht rezultat i politikave që udhëheq Hristijan Mickoski dhe VMRO-DPMNE. Në vend të një gjyqësori dhe prokurorie të pavarur, qytetarët po përballen me kontroll politik mbi institucionet, drejtësi selektive dhe mbrojtje të korrupsionit të pushtetit”, thuhet në komunikatë.

Nga LSDM rikujtojnë se Komisioni Evropian ka theksuar se pa një sistem të pavarur të drejtësisë nuk mund të ketë progres në rrugën drejt Bashkimit Evropian. “Komisioni Evropian dërgon një mesazh të qartë se pa pavarësi të vërtetë të gjyqësorit nuk ka përparim drejt Bashkimit Evropian. Mickoski dhe VMRO-DPMNE, në vend që të zbatojnë reformat, vazhdojnë me të njëjtat praktika presioni dhe kontrolli mbi institucionet”, vlerëson LSDM.

Në fund të reagimit, partia opozitare bën thirrje për përgjegjësi institucionale dhe forcim të pavarësisë së sistemit të drejtësisë. “Qytetarët e Maqedonisë nuk duhet të lejojnë që drejtësia të jetë në duart e atyre që mbrojnë rrjetet kriminale. Ka ardhur koha për përgjegjësi, për një gjyqësor të pavarur dhe për Evropën”, përfundon komunikata e LSDM-së.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments