Ndonëse punimet për rrethrrotullimin në rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë, konkretisht në fshatin Neproshten ku do të del qarkorja që po ndërtohet, ishin planifikuar të përfundojnë deri me 15 korrik, në mes të sezonit veror kur edhe ngarkesat në trafik shtohen, afati i punimeve është shtyrë deri në shtator, shkruan Portalb.mk.Banorët e zonës, veçanërisht mërgimtarët vazhdimisht ankohen në redaksinë e Portalb.mk për zvarritjen e punimeve në fshatin Neproshten (rruga rajonale Tetovë-Jazhincë), kërkojnë nga autoritetet t’i përshpejtojnë punët dhe rreth-rrotullimi të përfundojëKa dy javë jam këtu, çdo ditë kaloj dhe ngec në kolonë, kjo nuk është normale, punohet shumë ngadalë. Pse kanë pritur verën që të punojnë në këtë pjesë, le ta përfundonin më herët, ky projekt ka filluar që moti”, tha një mërgimtar.
“Seriozisht më ka ardhur në maje të hundës, na malltretojnë çdo ditë me kolona, pluhur etj etj. A mban përgjegjësi dikush për këtë tortrurë që po na bëhet”, tha një mërgimtar tjetër.
“Nuk është në rregull të zhagiten kaq gjatë punimet, moti ka filluar dhe nuk janë duke e përfunduar, unë nuk e di a po i zvarrisin me qëllim punimet apo çfarë”, tha një qytetar.
Ndonëse afati për përfundimin e kësaj pjese ishte deri më 15 korrik, kjo nuk u bë. Nga Ndërmarrja Publike e Rrugëve Shtetërore për Portalb.mk bënë të ditur se afati është shtyrë deri në shtator.
“Punimet në qarkore po zhvillohen me intensitet të shtuar të trafikut, gjë që po e ngadalëson ritmin e aktiviteteve ndërtimore. Kontraktori po bën përpjekje dhe angazhim maksimal që punimet të përfundojnë sa më shpejt, në mënyrë që të shmangen bllokimet e mëdha në komunikacion. Megjithatë, për shkak të pamundësisë për të përshpejtuar më tej procesin, afati është shtyrë deri më 1 shtator”, thanë nga NP “Rrugët Shtetërore”.Kujtojmë se afati për përfundimin e ndërtimit të Qarkores së Tetovës nga Treboshi në Neproshten është shtyrë për herë të katërt.
Ndonëse në shkurt 2024 u promovua me shumë vrull nga funksionarët qeveritarë dhe partiakë, punimet në terren për qarkoren e Tetovës nuk ecën në të njëjtën formë.
Qarkorja planifikohet të ndërtohet nga fshati Trebosh dhe të del në fshatin Neproshten në rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë, e njëjta lidhet edhe me autostradën Tetovë-Shkup.
Rruga pritet të jetë e gjatë 5.4 kilometra me gjerësi 6.6 metra. Gjithashtu është e planifikuar për tërë gjatësinë e rrugës së qarkores në të dy krahët e rrugës të ketë rrugë ndihmëse të tamponuara të servisuara për mjetet të cilat merren me bujqësi me gjerësi prej 3 metra.
Kjo rrugë pritet të lehtësojë komunikacionin për banorët e komunave Tetovë, Tearcë, Zhelinë, Jegunovcë të cilët nuk do duhet të futen në Tetovë për t’u lidhur me rrugë të tjera rajonale.
