Edhe pse Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS) zakonisht deri më 10 korrik publikon të dhënat për lindjet e vitit paraprak sipas përkatësisë etnike të prindërve, këtë vit tabela ende nuk është bërë publike. Vonesa ka ngritur pikëpyetje, veçanërisht pas anomalive të evidentuara në statistikat e vitit 2024.
Analiza e të dhënave zyrtare të publikuara nga ESHS për periudhën 2010–2024 tregon një ndryshim të pazakontë te kategoria e lindjeve me përkatësi etnike “të panjohur”.
Sipas statistikave, nga viti 2010 deri në vitin 2023, në total janë regjistruar vetëm 343 lindje me përkatësi etnike të panjohur. Megjithatë, vetëm në vitin 2024 ky numër arriti në 1.815 raste, ose 11,3 për qind të të gjitha lindjeve të regjistruara gjatë atij viti.
Nëse merret për bazë mesatarja vjetore e periudhës 2010-2023, e cila ishte 24,5 raste, rezulton se në vitin 2024 është shënuar një rritje prej rreth 7.408 për qind, një ndryshim statistikor që nuk ka precedent në të dhënat e deritanishme.
Në vitin 2024, sipas ESHS-së, në vend janë regjistruar gjithsej 16.061 lindje. Nga to, 6.842 janë evidentuar si maqedonase (42,60 për qind), 5.475 si shqiptare (34,08 për qind), ndërsa 1.815 ose 11,30 për qind janë klasifikuar si me përkatësi etnike të panjohur.
Krahasuar me vitet paraprake, ndryshimi është i theksuar. Në vitin 2023 janë regjistruar vetëm 37 raste me përkatësi të panjohur, në vitin 2022 ishin 30, në vitin 2021 ishin 24, ndërsa në shumicën e viteve të periudhës 2010–2023 kjo kategori lëvizte nga vetëm disa raste deri në disa dhjetëra.
Në të njëjtën kohë, ende mungojnë të dhënat për vitin 2025 sipas përkatësisë etnike, ndonëse numri i përgjithshëm i lindjeve tashmë është publikuar dhe arrin në 15.850.
ESHS të dhënat për lindjet i merr nga Drejtoria e Librave Amë, institucion përgjegjës për regjistrimin civil, megjithatë deri tani nuk është dhënë ndonjë shpjegim publik për vonesën e publikimit të tabelës sipas përkatësisë etnike, as për rritjen e jashtëzakonshme të kategorisë “e panjohur” në statistikat e vitit 2024.
Njëkohësisht, ekspertët theksojnë se një pasqyrë shtesë për lëvizjet demografike mund të merret nga të dhënat për lindjet sipas komunave, të cilat mundësojnë analizimin e ndryshimeve territoriale të natalitetit.
Publikimi i statistikave të plota për vitin 2025 pritet të sqarojë nëse rritja e pazakontë e kategorisë “e panjohur” ishte një rast i izoluar apo bëhet fjalë për një trend që vazhdon edhe këtë vit. Deri atëherë, mungesa e këtyre të dhënave lë të hapura dilema për interpretimin e lëvizjeve demografike sipas përkatësisë etnike në Maqedoninë e Veriut.

