Kuvendi sot, në kuadër të vazhdimit të seancës së 106-të, miratoi ndryshimet në Ligjin për Sigurinë e Trafikut Rrugor, me të cilat rregullohet përdorimi i trotinetëve elektrikë në komunikacionin publik, ose siç përcaktohen në ligj, “automjete të lehta elektrike”. Ndryshimet në ligj, të cilat një javë më parë, më 24 qershor, u propozuan nga një grup deputetësh të shumicës qeverisëse, u miratuan me shumicë të dyfishtë. Nga gjithsej 64 deputetë të pranishëm në sallën plenare, të gjithë 64 votuan pro.“Ju njoftoj se, në bazë të pikës 2 të Amendamentit X të Kushtetutës së Maqedonisë dhe nenit 11, paragrafi 3 të Ligjit për Komitetin për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, ky ligj miratohet me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm, duke qenë e nevojshme edhe shumica e dyfishtë, përkatësisht shumica e votave të deputetëve që u përkasin bashkësive që nuk janë shumicë në shtet”, tha nënkryetari i Kuvendit, Antonio Milloshoski, i cili drejtoi seancën.
Pas votimit sipas parimit të Badinterit, ligji u miratua edhe me 17 vota “pro” nga deputetët e bashkësive joshumicë.
