Udhëheqja politike e Maqedonisë së Veriut po bën gjithçka që është e mundur për të vonuar anëtarësimin e vendit të saj në Bashkimin Evropian. Kështu deklaroi Kryeministri bullgar Rumen Radev i cili shtoi se nuk mund të ketë një takim dypalësh midis tij dhe Kryeministrit Hristijan Mickoski.
“Nuk kam unë përse të kem takim sepse problemi nuk është dypalësh. Mickoski ka problem me Bashkimin Evropian. Maqedonia e Veriut tani e tutje duhet ta bindë BE-në se respekton të drejtat e njeriut dhe mund të garantojë sigurinë e të gjitha misioneve diplomatike në territorin e saj. Ata qartësisht nuk po bëjnë mjaftueshëm. Problemi i madh është se kjo udhëheqje politike jo vetëm që nuk i ndëshkon zjarrvëniet e tilla, por autorët e tyre madje inkurajohen në fushatat zgjedhore. Derisa të mos ketë parime të përcaktuara qartë të sundimit të ligjit, derisa të mos ketë pasoja për autorët e akteve të tilla të padenja, nuk kemi më asgjë për t’i thënë Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut. Ai duhet t’i sqarojë BE-së se si i plotëson kriteret e anëtarësimit”, tha kryeministri bullgar Rumen Radev.
Radev, duke ju referuar krerëve vendas, tha se politika në nivelin më të lartë në shtetin e mbjelljes së gjuhës së urrejtjes, e mungesës së çdo tolerance, e shtrembërimit të historisë dhe e shndërrimit të historisë në një instrument në marrëdhëniet ndërkombëtare, nuk çon në asgjë të mire. Kryeministri bullgar kritikoi qasjen e qeverive të mëhershme të vendit të tij ndaj çështjes me Maqedoninë dhe tha se tani duhet të bëjë përsëri përpjekje për t’i bindur udhëheqësit në BE se marrëveshja e arritur në korrik 2022 duhet të respektohet.
Ndërkohë, protestat e paralajmëruara në tre vendkalimet kufitare mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut për ditën e diel janë anuluar dhe nuk do të mbahen. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e jashtme e Bullgarisë, Velisllava Petrova ndërsa e ka konfirmuar edhe vet kryetari i fondacionit “Maqedonia”, Viktor Stojanov. Ky vendim ka ardhur pas bisedimeve me përfaqësues të MPJ-së bullgare dhe ambasadorit bullgar në Shkup. Vlerësimet e tyre kanë qenë se bllokimi i kufijve do të ishte kundër produktiv dhe do të krijonte tensione shtesë. Protesta ishte paraparë në vendkalimet kufitare Deve Bair, Dellçevë dhe Novo Sellë në kohëzgjatje prej dy orësh, në shenjë proteste për djegien e dy makinave diplomatike në Shkup.
