Komuna e Gostivarit shpreh keqardhje për vështirësitë në furnizimin me ujë në një pjesë të fshatit Debresh, problem ky që vazhdon për dekada.
Gjatë këtij viti, banorët dhe përfaqësuesit e shoqatave lokale kanë zhvilluar tre takime me kryetarin e Komunës së Gostivarit dhe me ekspertët e Ndërmarrjes Komunale, ku janë shqyrtuar dhe dakordësuar zgjidhje konkrete për tejkalimin e problemit.
Në këtë drejtim, kanë filluar punimet për ndërtimin e një linje të re të ujësjellësit, e cila do të mundësojë rritje të ndjeshme të kapacitetit të ujit të pijshëm. Ky investim pritet të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e furnizimit edhe për banorët e fshatit Debresh, i cili pritet të përfundojë për një muaj. Pas përfundimit të punimeve, pritet të sigurohet një furnizim më i qëndrueshëm dhe më cilësor me ujë të pijshëm.
Njëkohësisht, është marrë vendim edhe për përmirësimin dhe sanimin e burimit të ujit mbi fshatin Debresh, një ndërhyrje e rëndësishme që pritet të ndikojë dukshëm në rritjen e kapaciteteve dhe në përmirësimin e përgjithshëm të furnizimit me ujë.
Komuna e Gostivarit ka dëshmuar më shumë se kurrë më parë, vullnet dhe përkushtim për zgjidhjen e këtij problemi shumëvjeçar. Për këtë arsye, i ftojmë banorët për mirëkuptim dhe durim gjatë periudhës së realizimit të punimeve, deri në zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje.
Komuna e Gostivarit mbetet e përkushtuar që, në bashkëpunim me qytetarët dhe institucionet përkatëse, të sigurojë zgjidhje afatgjata dhe të qëndrueshme për furnizimin me ujë të të gjithë banorëve.
