www.telegrami.mk
Kur Hristijan Mickoski dhe Aleksandar Nikoloski prezantuan se Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim,u ka nda kredinë prej 250 milionë eurosh për segmentin Shkup–Bllacë, entuziazmi ishte i madh.
Mesazhi që u përcoll ishte se vendi po hyn në një cikël të ri investimesh infrastrukturore. Por për qytetarët nuk ka rëndësi sa kredi merren dhe sa konferenca shtypi organizohen. Ajo që ka rëndësi është nëse projektet përfundojnë brenda afateve dhe me koston e premtuar.
Pikërisht këtu lind dilema. Një skenar i ngjashëm u pa edhe me Korridori VIII, ku pritjet ishin të mëdha, ndërsa realizimi vazhdon të përballet me sfida dhe paqartësi.
Entuziazmi i qeverisë së Hristijan MickoskiT dhe Aleksandar Nikoloski për kredinë prej 250 milionë eurosh për segmentin Shkup–Bllacë ishte aq i madh sa të krijohej përshtypja se projekti tashmë është përfunduar. Por qytetarët nuk kanë nevojë për konferenca festive, por për kilometra realë asfalt dhe afate që respektohen.
Të njëjtin spektakël e kemi parë edhe me Korridori VIII. Premtime të mëdha, fotografi, deklarata optimiste dhe afate ambicioze. Megjithatë, përvoja e deritanishme tregon se nisja e një projekti nuk është e njëjtë me përfundimin e tij.
Dyshimi legjitim është se qeveria po përpiqet të hapë sa më shumë fronte ndërtimi për të krijuar perceptimin e një vale investimesh, ndërsa mbetet e paqartë nëse ekziston financim i qëndrueshëm për t’i çuar të gjitha deri në fund. Nëse projektet nisin më shpejt sesa sigurohen fondet për to, atëherë rreziku është që kreditë e ardhshme të përdoren për të mbuluar boshllëqet e projekteve të nisura më herët.
Në politikë është e lehtë të presësh shirita inaugurues. Sfida e vërtetë është të dorëzosh vepra të përfunduara. Prandaj, para se të festojë për kredi të reja, qeveria duhet t’u tregojë qytetarëve se si, kur dhe me çfarë garancish do të përfundojnë projektet që tashmë i ka premtuar. Sepse zhvillimi nuk matet me numrin e ekskavatorëve të vendosur për fotografi, por me projektet që përfundojnë dhe u shërbejnë qytetarëve.
Qeveria ka të drejtë të kërkojë financime dhe të nisë projekte të reja, por qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë llogari për rezultatet. Suksesi nuk matet me numrin e kredive të siguruara, por me numrin e projekteve të përfunduara. Nëse sot hapen shumë fronte pa garanci të qarta financiare dhe pa afate realiste, rreziku është që nesër kreditë e reja të përdoren për të mbuluar boshllëqet e projekteve të vjetra.
Në fund, pyetja që mbetet është e thjeshtë: a po ndërtohet një strategji e qëndrueshme zhvillimi, apo po ndërtohet një zinxhir projektesh që mbështeten te kreditë e ardhshme për të mbijetuar? Përgjigjen nuk do ta japin deklaratat politike, por rezultatet në terren…www.telegrami.mk
======================================================
P.S.
Sipas vlerësimit tim, ekziston rreziku që qeveria të nisë dhe ka nisur një numër të madh projektesh njëkohësisht pa pasur të garantuar financimin e plotë për përfundimin e tyre. Nëse gjatë viteve të ardhshme sigurohen kredi të reja nga institucione të tjera financiare, ato mund të përdoren për të mbuluar mungesat financiare të projekteve të nisura më herët. Kjo do të krijonte një praktikë të financimit të një projekti me mjetet e siguruara për një tjetër, duke e bërë të pasigurt përfundimin në kohë të investimeve infrastrukturore në pjesë të ndryshme të vendit.
Mesut Shabani

