Pagesa të pajustifikuara për shkak të mangësive në sistemin e realizimit dhe pagesës së të drejtave nga mbrojtja sociale janë konstatuar nga Enti Shtetëror i Revizionit. Sipas raportit, dobësitë në kontrollin e sistemit, shkëmbimi i pamjaftueshëm i të dhënave ndërmjet institucioneve, si dhe mosazhurimi dhe verifikimi i pamjaftueshëm i të dhënave të përfituesve, kanë bërë që të paguhen ndihma sociale edhe kur nuk janë plotësuar plotësisht kushtet ligjore, duke shkaktuar dëm në Buxhetin e shtetit.
Sipas revizorëve, gjatë vitit 2024 për kompensime sociale dhe mbrojtje shëndetësore janë paguar gjithsej 10.003.289.000 denarë (rreth 162,1 milionë euro) për mesatarisht 113.666 përfitues. Kjo përbën rreth 15% të shpenzimeve totale të Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, ndërsa në tre vitet e fundit këto pagesa kanë shënuar rritje prej 30%.
Për shkak të dobësive në kontrollet sistemore dhe shkëmbimit të dobët të të dhënave përmes sistemit të integruar informativ SPIL, revizorët kanë zbuluar raste të përfitimit të dyfishtë.
Vetëm gjatë një viti, 235 përfitues kanë shfrytëzuar njëkohësisht të drejta nga mbrojtja sociale dhe pension, duke përfituar pa bazë ligjore 14.536.005 denarë (rreth 236 mijë euro). Nga këto mjete:
- 10,763 milionë denarë janë paguar pa bazë për 190 përfitues të ndihmës minimale të garantuar;
- 426 mijë denarë janë paguar si kompensim i përhershëm për 5 përfitues;
- 3,347 milionë denarë janë paguar si e drejtë për siguri sociale për 40 persona të moshuar.
Probleme me aktivizimin e të papunëve
Agjencia e Punësimit e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk e zbaton në mënyrë efikase detyrimin ligjor për hartimin dhe monitorimin e planeve individuale të aktivizimit për përfituesit e papunë të ndihmës minimale të garantuar. Këto plane përpilohen në numër shumë të vogël, kryesisht në mënyrë manuale dhe jo elektronike, pa bashkëpunim funksional dhe pa takime të rregullta ndërinstitucionale.
Për shkak të mungesës së stafit dhe koordinimit të dobët, nuk ndërmerren aktivitete të mjaftueshme për përfshirjen e këtyre personave në tregun e punës, gjë që kontribuon në varësinë afatgjatë nga ndihma sociale.
Vështirësi në kthimin e mjeteve të paguara pa bazë
Revizorët kanë konstatuar dobësi dhe veprim jo të njëjtë në procesin e kthimit të mjeteve të paguara pa të drejtë. Ministria nuk ka udhëzime dhe procedura të qarta për lidhjen dhe monitorimin e marrëveshjeve për kthimin e mjeteve, prandaj qendrat për punë sociale vendosin afate dhe këste të ndryshme.
Shumica e qendrave nuk mbajnë evidencë të rregullt për borxhet dhe arkëtimet. Gjithashtu mungon një sistem për monitorimin e pagesave dhe koordinimi ndërmjet ministrisë dhe qendrave sociale.
Edhe pse hapen procedura gjyqësore për arkëtimin e këtyre mjeteve, në praktikë ato vështirë realizohen, pasi përfitimet sociale nuk mund të bllokohen përmes përmbarimit. Kjo bën që disa persona, pas një periudhe të caktuar, të fitojnë sërish të drejtën e ndihmës sociale, ndërsa borxhet mbeten të papaguara.
Kushte të papërshtatshme dhe mangësi në mbikëqyrje
Revizorët kanë konstatuar se në shërbimet për ndihmë financiare pranë Qendrës Ndërkomunale për Punë Sociale në Shkup dokumentacioni ruhet në kushte të papërshtatshme. Shumë zyra ndodhen në baraka me kushte të dobëta pune, ndërsa dokumentet ruhen në korridore dhe kuti kartoni, pa mbrojtje adekuate, duke rrezikuar dëmtimin ose humbjen e tyre.
Gjithashtu, mbikëqyrja inspektuese nuk kryhet mbi bazën e një vlerësimi të plotë të rrezikut dhe nuk përfshin të gjitha të drejtat sociale në kontrolle të rregullta, gjë që mund të ulë efikasitetin në zbulimin dhe parandalimin e parregullsive.
Gjetje të tjera
Revizorët raportojnë edhe për:
- shpërndarje të pabarabartë të lëndëve dhe ngarkesë të ndryshme të personelit në qendrat për punë sociale;
- procedura të hapura për shkak të dyshimeve për pagesa të pajustifikuara lidhur me sigurinë sociale të personave të moshuar;
- mungesë saktësie në Ligjin për Mbrojtje Sociale lidhur me kontrollin e drejtpërdrejtë në amvisëri;
- mungesë dispozitash të qarta në Ligjin për Sigurinë Sociale të të Moshuarve për kthimin e mjeteve të përfituara pa bazë;
- mbivendosje të përfituesve të kompensimeve për aftësi të kufizuara, ndihmë dhe kujdes nga person tjetër, si dhe shërbime në shtëpi;
- mungesë të shkëmbimit sistematik të të dhënave për personat që punojnë pa marrëdhënie të rregullt pune ose që qëndrojnë jashtë vendit.
