BallinaLajmeVetëm vjet, 2000 familje nga Maqedonia u shpërngulën në Gjermani,po shtohet nga...

Vetëm vjet, 2000 familje nga Maqedonia u shpërngulën në Gjermani,po shtohet nga të huajt, vitin e kaluar lindën 1.620 foshnje vetëm nga RMV.

Numri i përgjithshëm i shtetasve të Maqedonisë së Veriut të regjistruar si të huaj që jetojnë në Gjermani deri në fund të dhjetorit të vitit të kaluar ka arritur në 161.120 persona, që është mbi 2.000 më shumë krahasuar me vitin 2024, kur ky numër ishte 158.995, sipas të dhënave të Entit Federal Gjerman të Statistikave. Nga viti 2015 deri në vitin 2025, numri i shtetasve nga Maqedonia të regjistruar si të huaj në Gjermani është rritur me më shumë se 65.000 persona.

Vala e emigrimit të shtetasve maqedonas drejt Gjermanisë gjatë shekullit XXI ka qenë aq e madhe sa ka krijuar një trend të lindjes së fëmijëve maqedonas në territorin gjerman. Sipas statistikave, vetëm gjatë vitit të kaluar në Gjermani janë lindur 1.620 foshnja nga prindër të regjistruar si “shtetas të huaj nga Maqedonia”, ka konstatuar Bloomberg Adria bazuar në të dhënat e Entit Federal Gjerman të Statistikave.

Një numër gjithnjë e më i madh i fëmijëve me prejardhje maqedonase po lindin jashtë vendit, më së shumti në Gjermani, gjë që përbën një tjetër tregues të pasojave afatgjata të emigrimit të popullsisë në moshë pune. Të dhënat tregojnë se diaspora vazhdon të zgjerohet, ndërsa situata demografike në vend po përballet me rënie të natalitetit dhe emigrim të vazhdueshëm të familjeve të reja.

Gjermania mbetet një nga destinacionet më të preferuara për qytetarët e Maqedonisë së Veriut që kërkojnë mundësi më të mira ekonomike, të ardhura më të larta dhe një të ardhme më të sigurt për fëmijët e tyre. Mijëra qytetarë janë shpërngulur atje gjatë viteve të fundit, ndërsa shumë prej tyre tashmë kanë krijuar familje dhe kanë fëmijë, duke ndikuar në rritjen e numrit të lindjeve në maternitetet gjermane nga prindër me prejardhje maqedonase.

Ekspertët paralajmërojnë se ky trend mund të ketë pasoja afatgjata për zhvillimin demografik të Maqedonisë së Veriut. Përveç uljes së numrit të banorëve, vendi po përballet edhe me plakjen e popullsisë, mungesën e fuqisë punëtore dhe zvogëlimin e numrit të nxënësve në sistemin arsimor. Në të njëjtën kohë, diaspora po bëhet një faktor gjithnjë e më i rëndësishëm ekonomik përmes remitancave që dërgon në vend dhe lidhjeve që ruan me atdheun.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments