Kryetari i ri i Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRRE), Aco Ristov, beson se duhet të bëhet një analizë e detajuar e sistemit me katër blloqe tarifore për energjinë elektrike. Sipas tij, është e palogjikshme të paguhen katër çmime për të njëjtin produkt në bursë.
“Mendimi im personal është se kjo çështje duhet të hapet dhe do ta shqyrtojmë në periudhën e ardhshme – nëse do të kemi blloqe apo jo, apo t’i dimensionojmë ndryshe”, tha Ristovnë takimin e sotëm me gazetarët.
Ai tha se KRRE do të shqyrtojë rezultatet e deritanishme nga futja e blloqeve, por do të marrë parasysh edhe përvojat nga rajoni.
“Nga përvojat nga rajoni, do të shohim se si mund të bëhet diçka dhe nëse diçka mund të bëhet më mirë në interes të konsumatorëve fundorë”, shtoi Ristov.
Siç njoftoi ai, është e mundur të gjendet ndonjë mënyrë të re, e cila do të jetë më e drejtë.
Kryetari i KRRE-së theksoi se energjia është mall i bursës dhe ai që e prodhon e shet me të njëjtin çmim, dhe gjithçka tjetër është një kategori shoqërore që duhet të harmonizohet me shtetin.
“Nuk mund të ketë pesë çmime për të njëjtin produkt. Prandaj, do të shqyrtojmë përvojat nga zbatimi i sistemit tarifor dhe do të bëjmë analizë që do të përcaktojë se çfarë bëjmë në të ardhmen”, tha Ristov.
Lidhur me çmimin që qytetarët paguajnë për sistemin e ngrohjes, Ristov nuk pret rritje drastike këtu.
“Aktualisht nuk ka luhatje të mëdha në sektorin e gazit, ndryshe nga ato që ndodhin me derivatet e naftës, dhe çmimi i tij është relativisht i qëndrueshëm”, tha ai.
Megjithatë, nëse do të ketë rritje të çmimit të energjisë së ngrohjes për konsumatorët fundorë, shtoi ai, do të dihet deri në fund të korrikut, pasi dorëzimi i kërkesave nga kompanitë që operojnë në këtë sektor është deri më 30 qershor, pas së cilës rregullatori përpunon të dhënat.
“Në varësi të të dhënave që marrim nga bursat, bëjmë një krahasim dhe sjellim një çmim të rregulluar për të cilin nuk e dimë në këtë moment nëse do të jetë disi më i lartë: ndoshta për shkak të zhvillimeve inflacioniste, do të ketë një rritje, por nuk pritet të jetë drastike sepse, megjithatë, çmimi i gazit nuk është rritur në tregje siç është rritur me derivatet e naftës”,shtoi Ristov.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut aplikon sistemin e blloqeve tarifore për energjinë elektrike që në vitin 2022, ku konsumatorët që tejkalojnë 3200 kWh në muaj përballen me faturat deri 54% më të larta. Sistemi përfshin katër blloqe, duke filluar nga 210 kWh deri në mbi 1050 kWh, me qëllim rritjen e çmimit për konsumin e lartë.
