BallinaLajme“Ligji nuk është jogurti i marketit: s’ka ‘i mirë’ apo ‘i keq’,...

“Ligji nuk është jogurti i marketit: s’ka ‘i mirë’ apo ‘i keq’, por kushtetues ose i padrejtë”

www.telegrami.mk

analizë

Deklarata e Izet Mexhiti se “i mirë i keq, ligj është” tingëllon më shumë si arsyetim politik për të kaluar diçka me çdo kusht, sesa si filozofi serioze juridike. Nëse një ministër apo bartës funksioni publik e relativizon cilësinë e ligjit deri në këtë nivel, atëherë bie vetë kuptimi i shtetit juridik.

Ligji nuk është statistikë, propagandë apo kompromis pazari politik. Ligji duhet të jetë i drejtë, kushtetues, i zbatueshëm dhe mbi të gjitha të garantojë barazi reale. Përndryshe, edhe ligjet më të këqija në histori kanë qenë “ligje”, por kjo nuk i bëri të drejta.

Të thuash “i mirë i keq, ligj është” është njësoj sikur një mjek të thotë: “ilaçi mund të të shërojë ose të të dëmtojë, por ilaç është”. Kjo logjikë është e rrezikshme, sepse normalizon mediokritetin institucional dhe ul standardin e përgjegjësisë politike.

Shqiptarët në North Macedonia(VMRO-DPMNE-Nikogash Severna) nuk kanë pritur dekada për “çfarëdo ligji”, por për një zgjidhje të drejtë dhe të qartë për përfaqësimin e tyre real në institucione. Balancuesi u kritikua pikërisht sepse shpesh u përdor si mekanizëm formal, statistikor dhe i manipulueshëm. Nëse tani po sillet një ligj që ende paraqitet me rezervë nga vetë promovuesit e tij, atëherë qytetarët kanë të drejtë të dyshojnë se po ndërrohet vetëm ambalazhi, jo përmbajtja.

Një pushtet serioz nuk duhet të kërkojë duartrokitje pse “më në fund po sjell ligj”. Kjo është detyrim institucional, jo favor politik. Pyetja kryesore nuk është a ka ligj apo jo, por: a garanton ky ligj barazi reale apo vetëm krijon iluzion juridik për konsum ditor politik?

Sepse në fund, edhe padrejtësia mund të legalizohet me vota, por nuk bëhet drejtësi vetëm pse është shkruar në Gazetën Zyrtare…www.telegrami.mk

===========================================================

Mesut Shabani Tetovë

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments