Ankesa e ministrit të Drejtësisë Igor Fillkovit për “Vërejtjen” e Inspektoratit të Gjuhëve lidhur me gjuhën e provimit të jurisprudencës ka filluar të procedohet, mëson Alsat. Komisioni Shtetëror për Vendimmarrje në Procedurë Administrative dhe Procedurë nga Marrëdhënia e Punës dhe Mbikëqyrja Inspektuese, me të marrë ankesën e Fillkovit ka dorëzuar shkresë në Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve, shkruan Alsat.
Ndërkohë inspektorët siç mëson Alsat, janë duke përgatitur përgjigjen për ankesën e Fillkovit. Me dorëzimin e përgjigjes, lënda do të kompletohet dhe do të jepet për shqyrtim, ndërsa do të votohet në ndonjërën prej seancave të radhës të Komisionit. Nuk pritet që lënda të zvarritet.
Vërejtja ndaj Fillkovit u shqiptua pas inspektimit të jashtëzakonshëm më 17 shkurt, pasi inspektorët konstatuan një sërë shkeljesh të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe amendamentit 5 të Kushtetutës, në të gjitha fazat e organizimit dhe zbatimit të provimit të jurisprudencës.
Derisa inspektorët i dha afat Fillkovit t’i korrigjojë shkeljet ligjore, Fillkovi u ankua në Komision.
