Deputeti i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Gazment Bardhi, ka reaguar në mbështetje të protestës së studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se përdorimi i gjuhës shqipe është një e drejtë themelore që nuk mund të vihet në diskutim. Në reagimin e tij, Bardhi thekson se gjuha shqipe është e garantuar me Kushtetutë dhe me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, duke e cilësuar atë si një të drejtë të fituar që nuk mund të negociohet.
“Përdorimi i gjuhës shqipe është një e drejtë themelore e garantuar dhe një e drejtë e fituar me gjak,” shprehet ai, duke shtuar se çdo cenim i saj përbën shkelje të drejtave bazë.
Deputeti shqiptar deklaron mbështetje të plotë për protestën e studentëve, duke e cilësuar atë si legjitime dhe të drejtë. Sipas tij, gjuha përfaqëson historinë, kujtesën dhe identitetin e një populli. “Një popull që detyrohet të kërkojë gjuhën e vet nuk ka problem gjuhe, por problem drejtësie,” thekson Bardhi.
Ai shton se për studentët shqiptarë, gjuha shqipe është identitet dhe pjesë thelbësore e qenies së tyre kombëtare, duke ritheksuar se “shqipja nuk negociohet”.
Në reagimin e tij, Bardhi i bën thirrje edhe Qeverisë së Shqipërisë që të ndërmarrë hapa konkretë dhe të reagojë pranë autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, për të shmangur, siç thotë ai, kthimin pas në periudha të errëta. “Rruga e dy vendeve është e përbashkët drejt Bashkimit Evropian, por Shqipëria ka detyrim kushtetues të mbrojë të drejtat kombëtare të shqiptarëve jashtë kufijve të saj,” thekson ai.
