Izet Mexhiti ka reaguar në lidhje me protestën e thirrur nga studentët që provimi i jurisprudencës të jetë edhe në gjuhën shqipe që siç tha, “protesta e nesërme është thirrje për vetëdijësim dhe se protestat studentore gjithmonë janë alarm për dukuritë shoqërore, shkruan TV21. Mexhiti kritikoi ligjin aktual për gjuhët, duke e cilësuar si “ligj gjysmak” dhe duke shtuar se “ligjet gjysmake japin zgjidhje gjysmake”.
“Në shtetet multietnike siç është Maqedonia e Veriut, elitat shoqërore, në veçanti klasa politike ka për detyrë që në vazhdimësi të punojë në ndërtimin politikave të qëndrueshme ligjore e institucionale të cilat do ta reflektojnë karaktetin multietnik dhe frymën e diversitetit të shtetit në çdo sferë të shoqërisë. Politika gjuhësore në Maqedoninë e Veriut, për fat të keq, është rregulluar me një ligj gjysmak. Ligjet gjysmake japin zgjidhje gjysmake.Prandaj protesta e nesërme është thirrje për vetëdijësim për të gjithë aktorët politikë e shoqërorë të cilët duhet të kontribuojnë për zgjidhje më të mira ligjore dhe politika afatgjate institucionale në vend.
Në vend të politizimit, bëj thirrje për ndërgjegjësim, sepse protestat studentore gjithmonë janë alarm për dukuritë shoqërore të cilat strukturat politike kanë për obligim t’ i trajtojnë në tërësi”, shkroi Mexhiti në Facebook.
