Në rajonin e Tetovës, mbi 90 për qind e Shkollave Fillore dhe ato të mesme kanë mungesë të sociologëve, psikologëve dhe defektologëve.
Mbi 90 për qind e shkollave fillore dhe të mesme në Tetovë kanë mungesë të sociologut, psikologut apo defektologut. Ky kuadër është i domosdoshëm sidomos pas ndodhive të fundit me alarmet për bomba që vinin nga vet nxënësit e shkollave ku mësonin. Nga sektori për Arsim i komunës së Tetovës thonë se është e patjetërsueshme punësimi i tyre, me qëllim trajtimin e rasteve të ndryshme që paraqiten nëpër shkolla.
“Pikërisht shkaku i paralajmërimeve të rrejshme për bomba dhe normalisht dukurive devijante që ndodhin nëpër shkollat fillore dhe të mesme është më se e nevojshme angazhimi i këtij kuadri profesional që shkollat të jenë të përgatitura brenda për brenda që të mund të minimizojnë këto probleme. Bëhet fjalë për diku 20-24 punësime përfshi këtu psikologë, sociologë, defektologë që do të ndihmojnë në mbarëvajtjen e një procesi më të mirë edukativ e arsimor dhe do jenë më afër nxënësve që të merren me problematikat”, deklaroi Nazmi Dauti. Sektori për Arsim komuna e Tetovës.
Por përse deri më tani komuna si themeluese e këtyre shkollave, nuk ka plotësuar këto vende vakante? Kreu i komunës Billall Kasami, fajin e hedhe tek ministria e Arsimit dhe shkencës. Ai tha se një pjesë e psikologëve sociologëve por edhe të defektologëve, as që e respektojnë orarin e punës e lëre më të trajtojnë rastet që paraqiten.
“Fatkeqësisht nuk kemi arritur deri më tani të sigurojmë pëlqim prej Ministrisë së Arsimit për punësim të rregullt të këtij kuadri, prandaj komuna e Tetovës ka angazhuar kuadër me kontratë deri sa të gjejmë zgjidhje afatgjate. Në këtë rast për ta shpallur konkurs, neve na duhet pëlqim nga ministria e Arsimit dhe e financave”, tha Bilall Kasami. Kryetar i komunës së Tetovës.
Në mungesë të kuadrit, Kasami zgjidhjen e gjen tek angazhimi i një Shoqate private të psikologëve që të ndihmojë shkollat fillore dhe të mesme me kuadër profesional./Alsat.mk.
