Katër nga gjashtë njësitë zgjedhore kanë numër më të madh ose më të ulët të votuesve se sa e lejon ligji. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka njoftuar Kuvendin dhe Ministrinë e Drejtësisë për këtë disbalancë që ka rezultuar nga përditësimi i listës për të dhënat e tremujorit të fundit të vitit 2019. Njësia e dytë ka +5,74% votues; njësia e tretë, -7,64%; njësia katër, -6,36%; dhe njësia gjashtë, +8,60%, lëvizje nga mesatarja ligjore prej -+5%
Njësitë zgjedhore Numri i votuesve Përqindja
- 309 633 + 2,12
- 320 620 + 5,74
- 280 042 – 7,64
- 283 929 – 6,36
- 295 725 – 2,47
- 329 276 + 8,60
Dallimi mes njësisë së gjashtë e cila ka numër më të madh të votuesve dhe njësisë së tretë e cila ka numër më të ulët të votuesve është më shumë së 49 mijë votues.
Për balancimin e tyre nevojiten ndryshime në Kodin zgjedhor me të cilat do të ndryshohen kufijtë e njësive zgjedhore dhe disa vendvotime do të zhvendosen brenda kufijve nga njëra njësi në tjetrën.
Nga Ministria e Drejtësisë pranojnë se numri i votuesve në disa njësi zgjedhore i tejkalon kufijtë ligjor. Sipas tyre, çfarëdo nivelizimi ose propozimi për bartje të disa vendvotimeve nga njëra njësi zgjedhore në tjetrën, duhet të vijë si propozim i KSHZ-së.”
Në qëndrimin e plotë të Ministrisë së Drejtësisë, përveç që flasin për këtë problematikë, njoftojnë se tashmë është arritur marrëveshje për zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-së dhe presin që grupet parlamentare të propozojnë ndryshime në Kodin zgjedhor.
Ministria e Drejtësisë
“Ekziston tejkalim i kufijve ligjor te njësitë zgjedhore. Njoftojmë se sipas ligjit, çfarëdo nivelizimi dhe kalimi të vendvotimeve nga një njësi zgjedhore në tjetrën, duhet të bëhet me propozim të KSHZ-së. Njëkohësisht, ju informojmë se është arritur marrëveshje për zbatimin e rekomandimeve të OSBE-së dhe presim që grupet parlamentare të propozojnë ndryshime në Kodin zgjedhor.”
Nuk dihet akoma nëse ka mundësi që ndryshimi i kufijve të njësive të shkojë paralelisht me miratimin e rekomandimeve të OSBE-së. Zakonisht partitë kanë zgjedhur mënyrën më të thjeshtë për zgjidhje të përkohshme të problemit me disbalancimin e numrit të votuesve në njësitë zgjedhore, duke kaluar vetëm disa vendvotime nga njëra njësi në tjetrën. Problemi rikthehet pas çdo përditësimi të listës.