A kërcënon ndotja ujin e pijshëm nga burimi Rashçe, me të cilin furnizohet Shkupi? Në afërsi të ish-fabrikës “Jugohrom” ekziston një deponi ku për vite me radhë janë depozituar rreth 900 mijë metra kub mbetje kromi. Edhe pse është e larguar nga burimi, megjithatë paraqet një rrezik serioz që përmes ujërave nëntokësore ta rrezikojë burimin kryesor të ujit të pastër për pije për qytetarët e Shkupit. Ana Çolloviq Leshoska nga organizata qytetare Eko-svest në intervistën javore për Radio Evropa e Lirë paralajmëron se ekziston rreziku i ndotjes së ujërave nëntokësore nga “Jugohrom” me ato të Rashçes. Nëse kjo ndodh, uji në Shkup do të jetë plotësisht i papërdorshëm sepse kromi gjashtëvalent është kancerogjen dhe vdekjeprurës, thotë Leshoska.
“Rreziku që uji të ndotet nuk është vetëm për ujin e pijshëm; ne nuk do të mund ta përdornim atë ujë as si ujë teknik. Në mënyrë të pakthyeshme do ta humbnim burimin Rashçe nëse ndodh ndotja, sepse ndodh depërtimi i këtij elementi kimik në ujërat nëntokësore, ndërsa gjithashtu, për fat të keq, tani për tani ai ujë që rrjedh nga vetë mbetjet hyn edhe në lumenj”, tha Ana Çolloviq – Eko Svest.
Problem me ujin e pijshëm pati edhe Struga, banorët e së cilës për një muaj të tërë nuk kishin ujë të rregullt për pije nga burimi. Edhe vetë kryetari i komunës së Strugës, Mendi Qyra, ka paraqitur kallëzime në të gjitha organet kompetente, për shkak të kryerjes së gërmimeve nga dy kompani për më shumë se 10 vjet. Nga se vjen një qasje e tillë ndaj ujit të pijshëm, përgjigjet Çolloviq?
“Në përgjithësi bëhet fjalë për aktivitete të paligjshme që mund të ndodhin në vendin ku merret uji për pije. Për fat të keq, në Maqedoni kemi shumë zona rurale, fshatra dhe vendbanime që nuk kanë sistem të ligjshëm furnizimi me ujë. Ekziston rreziku që të vendoset ndonjë objekt ose që uji të përdoret për qëllime të tjera, si prodhimi i energjisë elektrike, nxjerrja e zhavorrit, rërës e kështu me radhë, mbi vendin ku merret uji për pije”, shtoi Ana Çolloviq – Eko Svest.
Për rastin me ndotjen enorme të ujit të pijshëm , Prokuroria Themelore Publike në Strugë ka hapur lëndë dhe është lëshuar urdhër që policia gjyqësore të kryejë inspektim në lokacionin ku ndodhen burimet. Pas një muaji ndotjeje, uji nga ujësjellësi i qytetit në Strugë javën e kaluar u shpall i pastër dhe i sigurt për pije, me çka u hoq ndalesa për përdorimin e tij.
