Bashkimi Demokratik për Integrim – Dega Gostivar ka reaguar pas largimit nga puna të rreth 50 punëtorëve nga Maqedonia e Veriut në projektin që realizohet nga konsorciumi Bechtel–Enka, duke e cilësuar vendimin shqetësues dhe të pashpjeguar.
Nga kjo degë e partisë thonë se punëtorët janë përjashtuar nga puna pa asnjë fakt apo paralajmërim paraprak.
“Rreth 50 punëtorë nga Maqedonia e Veriut janë përjashtuar nga puna nga kompania Bechtel–Enka, pa asnjë fakt, pa asnjë gabim të provuar dhe pa asnjë paralajmërim paraprak”, thuhet në reagimin e tyre.
Sipas BDI-së në Gostivar, një vendim i tillë i menjëhershëm ngre shumë pikëpyetje për mënyrën se si po trajtohen punëtorët vendas në këtë projekt.
“Ky veprim ngre shqetësime serioze dhe lë shumë pikëpyetje për mënyrën se si po trajtohen punëtorët tanë. Një vendim i tillë i menjëhershëm dhe i pashpjeguar duket më shumë si një formë hakmarrjeje sesa si një procedurë e rregullt pune”, thuhet më tej në reagim.
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim – Dega Gostivar kërkojnë reagim të menjëhershëm nga institucionet shtetërore dhe qeveria.
“Institucionet e shtetit nuk duhet të heshtin përballë një padrejtësie të tillë. Qeveria duhet urgjentisht të ndërmarrë masa, të kërkojë sqarim nga kompania dhe të mbrojë të drejtat e punëtorëve tanë. Punëtorët meritojnë dinjitet, respekt dhe trajtim të drejtë”, thuhet në reagimin e BDI-së në Gostivar. Gazeta Flaka
249
