Deputeti i koalicionit VLEN, Bekim Qoku, ka njoftuar se grupi parlamentar i këtij koalicioni ka pritur sot në Kuvend studentët e nismës për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Sipas Qokut, gjatë takimit është diskutuar për rëndësinë e realizimit të kësaj të drejte dhe për nevojën e zbatimit të plotë të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Ai theksoi se VLEN qëndron në anën e studentëve dhe përkrah gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë dhe të qëndrueshme për këtë çështje.
“Ne jemi pa dyshim në anën e studentëve dhe përkrahim gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë dhe të qëndrueshme, për realizimin e një të drejte të garantuar me Kushtetutë dhe ligj”, ka deklaruar Qoku.
Ai shtoi se përmes dialogut dhe angazhimit institucional do të vazhdojnë të kontribuojnë për zgjidhjen e kësaj çështjeje në interes të studentëve dhe në respekt të parimeve të barazisë dhe drejtësisë.
Në reagimin e tij, Qoku theksoi se në qershor VLEN-i do të përmbyllë gjysmën e mandatit në qeverisje, duke shtuar se problemet e grumbulluara gjatë 22 viteve pushtet nuk mund të zgjidhen menjëherë.
“Deri tani kemi dëshmuar se jemi pragmatikë në zgjidhjen e halleve dhe nuk merremi me popullizëm apo premtime boshe”, ka theksuar ai.
Deputeti i VLEN-it kritikoi gjithashtu qasjen e qeverive të kaluara ndaj çështjeve që prekin shqiptarët, duke përmendur edhe ligjin për Medresenë “Medreseja Isa Beu”, për të cilin tha se ishte miratuar për interesa elektorale dhe më pas është dashur të rregullohet sërish, njofton agjencia e lajmeve INA.
Ai shtoi se, sipas tij, ministrat shqiptarë të drejtësisë ndër vite nuk i kanë kushtuar vëmendjen e duhur çështjeve me interes për shqiptarët. Qoku kritikoi edhe ndryshimet në Kodin Penal që, sipas tij, kanë mundësuar amnistimin e ish-zyrtarëve si Sasho Mijalkov dhe Nikola Gruevski.
