Kryetari i Kuvendit të RMV, Afrim Gashi megjithatë shpreson se do të arrihet marrëveshje që VLEN të shndërrohet në parti, së bashku me parimet edhe të partive të tjera të koalicionit.
Në të kundërtën, Alternativa nuk do të jetë partner koalicioni i partisë VLEN dhe ai do të japë dorëheqje nga funksioni i kryetarit të Kuvendit, transmeton Sloboden Peçat.
Gjatë transformimit të koalicionit VLEN në parti, dy parime janë kyçe – barazia dhe vendimmarrja konsensuale, vlerëson kryetari i Kuvendit dhe ish-lideri i Alternativës, Afrim Gashi. Kjo do të thotë se Alternativa nuk pajtohet me ofertën e liderëve të Lëvizjes Besa dhe të Lëvizjes Demokratike, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti në kuadër të VLEN-it, që ky subjekt të transformohet nga koalicion në parti, të ketë dy kryetarë, ndërsa partitë e tyre të kenë nga 35 për qind pjesëmarrje në organet partiake të VLEN-it, kurse 30 për qind e mbetura të ndahen mes Alternativës, fraksionit të Aleancës për Shqiptarët të udhëhequr nga zëvendëskryeministri Arben Fetai, më pas “Vetëvendosje” e përfaqësuar përmes Bekim Qokut, si dhe Lëvizjes Arbëria.
Nëse të gjitha këto qëndrime merren parasysh, Gashi megjithatë shpreson se do të arrihet marrëveshje që VLEN të bëhet parti. Në të kundërtën, ai është i prerë se Alternativa nuk do të jetë partner koalicioni i partisë VLEN dhe në atë rast do të japë dorëheqje nga funksioni i kryetarit të Kuvendit.
Kundër ofertës për bashkëkryesim të Kasamit dhe Mexhitit në partinë VLEN është edhe fraksioni i Aleancës për Shqiptarët, i udhëhequr nga Fetai.
