Pas disa shkeljeve të afateve dhe zvarritjeve të procedurave, tenderi për ndërtimin e deponisë rajonale në Pollog nuk është shpallur ende, ndërsa nuk ka ende afat se kur do të shpallet i njëjti, shkruan Portalb.mk.
Tenderi ishte planifikuar të shpallej në shtator 2025 por nuk u bë, ndërsa nga Ministria e Mjedisit në nëntor 2025 thanë se i njëjti pritet të shpallet brenda gjashtë muajve. Sot, tre muaj më vonë, tenderi nuk është shpallur ende.
Nga Ministria e Mjedisit thonë se Njësia Projektuese për Zbatimin e Projektit Rajonal për Menaxhimin e Mbetjeve të Forta, së bashku me BERZH-in dhe ekspertët për mbetje të angazhuar nga Banka, po punojnë së bashku për përgatitjen e dokumentacionit të prokurimit dhe shpalljen e tenderit për ndërtimin e deponive rajonale sipas standardeve evropiane.
“Besojmë dhe jemi të bindur se këtë vit do të shpallen tenderët për të dy rajonet: Pellagonia dhe Rajoni Jugperëndimor dhe Pollogu. Për shpalljen e procedurave të prokurimit do të informoheni, ndërsa procedura do të jetë publike dhe transparente, në përputhje me rregullat e BERZH-it”, thanë nga Minisria e Mjedisit.
Qeveria e RMV-së më 15 prill 2025 e miratoi ndërtimin e deponisë moderne në Pollog.
Sipas projektit, planifikohet ndërtimi i një deponie sanitare dhe mbyllja e deponisë së vjetër, nëpërmjet përmirësimit të vendndodhjes ekzistuese të deponisë konstante të Rusinos, do të vendoset në përputhje me Direktivën Kuadër të Mbetjeve të BE-së, Direktivën e Deponive dhe konkluzionet e Teknologjisë më të Mirë të Disponueshme (BAT) për trajtimin e mbeturinave.
Siç informuan nga Qeveria, zbatimi i plotë i projektit dhe vënia në punë e konceptit të ri pritet të përfundojë brenda dy viteve, pra në vitin 2027.
Ky projekt realizohet në kuadër të aktiviteteve të Projektit Rajonal për Menaxhimin e Mbeturinave të Ngurta, përmes Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Realizimi financiar i projektit është siguruar përmes Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) me kredi shtetërore deri në 55 milionë euro për Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Gjithashtu, në realizimin financiar të të gjithë projektit është përfshirë edhe një grant nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) prej 9 milionë franga (CHF), një grant nga Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (“WBIF”) nga e cila Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka siguruar 23.8 milionë euro, si dhe një grant nga Qeveria Suedeze përmes SIDA me 0.7 milionë euro.
Kujtojmë se tenderi për ndërtimin e deponisë moderne në Pollog dhe në rajonin e Pellagonisë dhe atë Jugperëndimor vazhdimisht janë shtyrë dhe afatet kanë ndryshuar. Ndërsa sipas planifikimeve pritet që deri në vitin 2027 këto deponi të jenë të kompletuara dhe në vihen në funksion.
Me ndërtimin e tre deponive rajonale në këto rajone, do të mundësohet menaxhimi modern i mbetjeve për rreth 1 milion banorë në vend. Bashkimi Evropian e ka vlerësuar ngritjen e sistemeve rajonale të menaxhimit të mbetjeve si një nga prioritetet kombëtare në procesin negociator të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE.
