Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka shprehur skepticizëm të thellë për funksionimin dhe të ardhmen e koalicionit qeverisës VLEN, duke deklaruar se bëhet fjalë për një konglomerat partish me ideologji të ndryshme, të cilat vështirë se mund të shndërrohen në një strukturë të unifikuar politike.Në emisionin “Rrishtazi” në gazetën Koha, Taravari tha se, ndonëse dëshiron që ish partner koalicioni i tij i dikurshëm VLEN-i të bashkohet dhe të funksionojë si një parti e vetme, realiteti brenda koalicionit e bën këtë thuajse të pamundur.
“Duke e ditur se si funksionohet brenda, prognoza ime është se ai konglomerat me ideologji të ndryshme vështirë se mund të bëhet një strukturë. Përshtypja ime, dua të jem gabim, është se ato janë parti që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën”, u shpreh Taravari.
Ai veçoi se bashkimi eventual mund të ndodhë vetëm mes disa subjekteve të caktuara, ndërsa të tjerat i konsideroi struktura krejtësisht të ndryshme. “BESA dhe Alternativa mund të bashkohen, por Lëvizja Demokratike është një strukturë komplet tjetër. Për Arben Fetain dhe ‘Arbërinë’ as që flitet, ata janë diçka krejt tjetër”, tha kreu i ASH-së.
Sipas Taravarit, faktori i vetëm që aktualisht i mban së bashku këto subjekte politike është interesi dhe ndikimi i kryeministrit Hristijan Mickoski. “VLEN-i ka kryetar Hristijan Mickoskin. Po të mos ishte Mickoski, le t’u japë dy javë dhe t’u thotë ‘unë nuk përzihem’, ata moti do të ishin ndarë”, deklaroi Taravari.
Këto qëndrime të kreut të ASH-së vijnë në një kohë kur brenda VLEN-it po shtohen debatet për të ardhmen e koalicionit dhe mundësinë e shndërrimit të tij në një parti të vetme politike./Zyrtare.
