Kandidati i propozuar nga VLEN për Avokat të Popullit, Faton Selami nuk merr mbështetjen e opozitës. Fronti Evropian këmbëngulë Selami nuk i plotëson kushtet dhe nuk do ta votojnë. Ata kërkojnë emër të ri nga kandidatët që kanë konkurruar dhe i’a lënë në dorë vet shumicës parlamentare ta zgjidhin këtë çështje.
“Qëndrimi përfundimtar i grupit tonë parlamentar është se ky emër duhet të tërhiqet. Se si do të tërhiqet në procedurë ne nuk e dimë. Do të duhet shumica parlamentare ta diskutojë këtë, të kërkojë zgjidhjen dhe nga lista për kandidatë të paraqitur për këtë të zgjidhet ai i cili plotëson kushtet më mirë nga të gjithë të tjerët”, deklaroi Rina Ajdari, koordinatore e g.p Fronti Evropian.
Por sipas koordinatorit të grupit parlamentare të VLEN-it, Bekim Qoku, tanimë është vonë që të zgjidhet tjetër kandidat pasi propozimi i Selamit tanimë ka hyrë në seancë plenare. Qoku nuk e kupton BDI-në pse për kërkesa të VMRO-së gjithmonë gjejnë konsensus dhe mirëkuptim por kur vjen puna te kërkesat e VLEN-it, ata kundërshtojnë gjithçka.
“Tërheqja e kandidaturës do të implikonte problem sepse është në rend dite në seancë plenare dhe tërheqja e tij do të shkaktonte ri fillim, ri bërje të të gjithë procedurës, pra hapje e një konkursi të ri dhe gjithë procedurës nga fillimi që do të merr kohë sipas llogaritjeve tona diku gjashtë muaj të tjera”, tha Bekim Qoku, koordinator i g.p VLEN.
Mos zgjedhje e Avokatit të Popullit për më shumë se gjashtë muaj ka bërë që institucioni të punojë me kapacitete të kufizuara. Punëtorët janë të revoltuar plotësisht se nuk respektohet marrëveshja kolektive e cila parashikon paga më të larta për 30 për qind.
Megjithatë, këto para do të jetë rëndë t’i gjejë Avokati i Popullit në rrethana kur buxheti për këtë vit është shkurtuar për 45 milionë denarë. Problem shtesë paraqet edhe mungesa e kuadrit. Sipas sistematizimit të vitit 2021, institucioni duhet të ketë 180 punonjës. Aktualisht ka 84, ndërsa 4 prej tyre në fund të muajit dalin në pension. /Alsat.mk
