4.2 C
Tetovo
E martë, 13 Janar, 2026
BallinaLajmeNesër takimi i liderëve, Mickoski a do t’i bindë për sigurimin e...

Nesër takimi i liderëve, Mickoski a do t’i bindë për sigurimin e “Badenterit”

Fillimi zyrtar i sistemit “Qytet i Sigurt” (kamerat me radar), si dhe zgjedhja e Avokatit të Popullit, mbeten të pasigurta, pasi pritet rezultati i takimit të liderëve që kryeministri Hristijan Mickoski e ka caktuar për të mërkurën, përcjell INA.

Punonjësit e zyrës së Avokatit të Popullit do të duhet të presin për marrjen e pagës, ndërsa i pasigurt mbetet edhe starti zyrtar i sistemit “Qytet i Sigurt”, nëse në takimin e liderëve nuk arrihet marrëveshje me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, për mbështetje me qëllim sigurimin e shumicës së nevojshme të Badenterit.

Zgjedhja e Avokatit të Popullit dhe Ligji për Kundërvajtje janë të bllokuara në Kuvend, pasi shumica parlamentare nuk ka numër të mjaftueshëm deputetësh për të përmbushur kushtin e shumicës së Badenterit. Konfirmim se deputetët nuk po arrijnë të gjejnë zgjidhje dhe se për të dyja çështjet nevojitet marrëveshje politike, ka dhënë kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, gjatë një brifingu me gazetarët.

Nëse Mickoski do ta bindë Ahmetin dhe deputetët e NDI-së të japin mbështetje dhe cili do të jetë pazari për këtë, do të bëhet më e qartë pas takimit të liderëve.

“Edhe një herë i thirra koordinatorët, nëse mund të harmonizohen për zgjedhjen e Avokatit të Popullit. Nuk pati ndonjë vërejtje lidhur me këtë. Askush nuk ishte kundër, por ndërkohë do të duhet të zhvillohen bisedime. Shpresoj se së shpejti do të arrijmë një zgjidhje. Askush nuk e konteston emrin e kandidatit për Avokat të Popullit. Mendoj se nëse fillojmë një procedurë të re, ajo do të zgjasë po aq dhe nuk ka asnjë garanci se si do të përfundojë, sepse edhe në thirrjen e re nuk e dimë kush do të aplikojë. Hyrja në një proces të tillë do ta rrezikonte të gjithë procesin”, tha Gashi. Ai vlerëson se për këtë çështje janë të nevojshme bisedime politike në nivel të koordinatorëve të grupeve parlamentare.
Nuk ka asnjë lëvizje as për Kodin Zgjedhor, për të cilin krerët e grupeve parlamentare kanë diskutuar në koordinim. Gashi tha se po pret një shkresë nga ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, në mënyrë që Kuvendi të mund të formojë grupin e punës dhe të nisë punën.

“Po presim një shkresë prej tyre. Unë do t’ua përcjell deputetëve letrën, pastaj grupet parlamentare të propozojnë nga dy anëtarë, të formohet grupi i punës dhe sapo të mbërrijë teksti, grupi i punës të fillojë me punë”, tha ai.

Nga Ministria e Drejtësisë, ndërkohë, njoftuan se që javën e kaluar kanë dërguar shkresë në Kuvend për formimin e një grupi pune për ligjin.

Nuk ka asnjë përparim as për Komisionin Hetimor për tragjeditë në Koçan, “Durmo Turs”, “Spitalin Modular” dhe “Besa Trans”. Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në një brifing me gazetarët tha se kryetari i Kuvendit nuk ka dërguar shkresë për Komisionin Hetimor, por Gashi e mohoi këtë.

“Nuk është e saktë. Ne e kemi marrë vendimin në seancë. Grupet parlamentare, sipas nenit 3 të vendimit, duhet t’i dorëzojnë propozimet te Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime. Aty duhet të propozohet përbërja dhe më pas ta votojmë në seancë plenare”, tha ai.

Kryetari i Kuvendit vlerëson se duhet të hiqet qeveria teknike, edhe pse nuk jemi në nivelin e demokracisë skandinave, por po ashtu nuk jemi as në kategorinë e vendeve me rrezik kur bëhet fjalë për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments