1 C
Tetovo
E hënë, 22 Dhjetor, 2025
BallinaLajmePunuan me vite, u zëvendësuan brenda natës: Protestë e personelit mjekësor në...

Punuan me vite, u zëvendësuan brenda natës: Protestë e personelit mjekësor në Spitalin e Tetovës, drejtori arsyetohet

Dhjetëra punonjës dhe vullnetarë të Spitalit të Tetovës kanë protestuar duke kërkuar rishqyrtim të konkursit të fundit dhe punësim të atyre që me vite janë me kontrata dhe përvojë. Ata akuzojnë drejtuesit dhe përfaqësuesit politikë për thyerje premtimesh, duke theksuar se nga konkursi janë pranuar persona nga jashtë dhe pa përvojë. Drejtori i spitalit arsyetohet dhe vazhdon të premtojë, shkruan Portalb.mk.

Ardit Ibraimi kërkoi që të rishqyrtohen rezultatet dhe të pranohen ata të cilët me vite kanë dhënë kontribut në këtë spital, ashtu siç u ishte premtuar.

“Na është thënë qartë se fillimisht do të rregulloheshin punonjësit që janë tashmë brenda spitalit me gati 7-8 vite përvojë dhe pastaj ne vullnetarët që kemi shërbyer për gati 2 vite dhe vetëm më pas do të hapeshin vendet e punës për persona nga jashtë. Sot po ndodh e kundërta, punonjësit ekzistues janë jashtë spitalit ndërsa janë punësuar persona të ri nga jashtë pa asnjë përvojë-praktikë pune. Kjo nuk është meritokraci, kjo është shkelje e fjalës së dhënë, kjo është shpërfillje e kontributit shumëvjeçar”, tha Ibraimi.

Ali Aziri i cili që 9 vite punon si ndihmës (bollniçar) tha se në vend të tij, në këtë pozitë është pranuar dikush tjetër.

“Nëntë vite jemi përballë me shumë sfida, pas nëntë viteve punë pa sigurim pensional, pa sigurim shëndetësor zëvendësohem me personel motra vetëm për ta zënë këtë vendin tim, kjo nuk është e drejtë. Premtime kemi pasur. Erdhi ministri na premtoi se krejt që kemi punuar gjatë kësaj kohe do të marrim vendime, kjo nuk u bë, mbetëm rrugëve, dalim në protesta kërkojmë të drejtën tonë”, tha Aziri.

Ivona Nedellkovska theksoi se pavarësisht premtimeve nga zyrtarët, ata nuk arritën të marrin vendime. Ajo madje tha se ka pasur oferta nga VRMO-DPME që të bëhet pjesë e partisë në mënyrë që të punësohej.

“Presim të na jepni atë që e premtuat. Nuk do presim konkurs tjetër, mjaft kemi pritur, duhet personeli që u pranua nga jashtë të pres konkursin tjetër.. Nuk është e dejtë t’i ndërpritni kontratat për qëllime politike siç keni bërë me disa nga kolegët tonë. Nuk ka nevojë të pranoni personel nga jashtë pa përvojë kur e keni atë”, tha Nedellkovska.

Driton Mustafa theksoi se edhe pse ministri Azir Aliu, drejtori Erzen Elezi, kryetari Bilall Kasami premtuan, prapë se prapë premtimin e tyre e rrëzuan poshtë anëtarët e tyre partiakë.

“Ne qëndrojmë sot këtu për të kërkuar drejtësi për vendet tona të punës të cilat na u premtuan dhe janë shumë të merituara ku secili nga ne ka së paku 6-7-8-9 dikush 10 vite përvojë punë. Kësaj padrejtësie do t’i shkojmë deri në fund”, tha Mustafa.

Mediha Zilbehari theksoi se shtatë vite ka punuar në spital, sa me kontratë e sa në formë vullnetare.

“Vetëm fjalë dhe premtime boshe. Sot pas gjithë kësaj kohe jemi jashtë. Për këtë do të ikim, nuk do të ikim, nuk do të ikim se e duam perëndimin më shumë se vendin tonë, do të ikim sepse atje të paktën vlerësohet kontributi ynë, nuk ka mashtrime të njëpasnjëshme”, tha Zilbehari.

Ata theksuan se do vazhdojnë me protestën nëse ka nevojë edhe para Ministrisë së Shëndetësisë apo te kryeministri.

Drejtori i Spitalit të Tetovës, Erzen Elezi duke u munduar ta promovojë kokursin si sukses, tha se mbi 80% e të punësuarve me kontratë në Spitalin e Tetovës janë të përfshirë në atë listën e pranimit.

“Kam thënë para juve që gjithë nuk mund të përfshihen shkaku i profilit. Kemi rast në disa profile, duke filluar te profili për akusheri, numri që pranohet është vetëm 1 mirëpo konkurrentët janë 12, edhe ajo që është pranuar është 10 vite me kontratë”, tha Elezi,

Ai shtoi se ka kërkuar konkurs për 2026 dhe nëse i njëjti realizohet, u premtoi atyre që mbetën pa vendime se do t’i marrin të njëjtat.

“E kam të miratuar nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë. Zotrohem që me çdo kusht maksimumin do e bëj që ta realizoj edhe atë konkursin. E kam planin, gjithsej janë 133 për vitin 2026… Nëse arrijmë ta hapim edhe atë konkursin tjetër, un ju garantoj se ju të cilët keni ngelur me kontratë do ju marr”, tha Elezi.

Ky konkurs u zvarrit me muaj të tërë për shkak të zgjedhjeve lokale.

  • Pas shumë zvarritjeve, protestave, polemikave dhe përplasjeve politike, Spitali i Tetovës më më 24 korrik e hapi konkursin për pranimin e personelit mjekësor.

Megjithatë konkursi u anulua disa javë më vonë në gusht për shkak të shpalljes së zgjedhjeve lokale.

Kujtojmë se në muajin qershor punonjësit shëndetësorë në Spitalin e Tetovës me kontrata, të cilët janë rreth 140, protestuan pasi nuk kishin marrë rroga ndërsa kërkuan edhe vendime pune. 

Pas protestave, nga Spitali Klinik i Tetovës u premtuan se do tu paguhen pagat e prapambetura si dhe kontrata në vepër deri në fund të vitit. 

Po atë muaj ministri i ri i Shëndetësisë Azir Aliu tha se brenda një muaji e gjysmë pritet të zgjidhet statusi i punës së personelit mjekësor të Tetovës, por kjo nuk u bë brenda këtij afati.

Ndryshe, lëvizjet në Shëndetësi kanë bërë që ky sektor të mos gjejë “qetësi”. Nga ana tjetër, sistemi shëndetësor në Maqedoninë e Veriut po zbrazet dita ditës.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments