Projekti për ndërtimin e Teatrit dhe Bibliotekës në Tetovë kanë hyrë në vitin e 12-të të ndërtimit, por punimet e realizuara deri tani mezi e kanë kapërcyer 30 për qindëshin. Dinamika e punimeve për këtë vit ka ecur sipas fondit të akorduar nga buxheti i shtetit. Mbi 11 milionë denarë që deri në muaji dhjetor janë përdorur kryesisht për blerje aparaturash. Ndërsa me buxhetin e planifikuar për vitin e ardhshëm Ministria e Turizmit dhe Kulturës do të vërë në dispozicion vetëm 72 milionë denarë. Duke ulur pritshmëritë se përfundimi i këtij projekti do të mbyllet së afrimi.
Në total, kostoja e objektit është rreth 1.5 miliardë denarë, ndërsa Qeveria duhej të akordonte 300 milionë denarë për 2025 dhe 330 milionë denarë për vitin 2026. Deri tani Teatri dhe Biblioteka e Tetovës është thuajse në fillim të rrugës. Realizimi i punimeve ka arritur deri në 31.5 për qind, në një shumë prej 389 milionë denarë (mbi 6 milionë euro), thonë mbikëqyrësit e projektit.
“Këtë vit ishin pak. Për vitin e ardhshëm është planifikuar një shumë më e madhe, por jo e mjaftueshme. Pasi punimet, dinamika e tyre zhvillohet sipas mjeteve që na lëshohen. Kemi folur me ministrin…, por nuk e dimë se ç’do të ndodhë”, thotë Drejtoresha e Qendrës së Kulturës, që menaxhon realizimin e projektit, Njomza Imeri Ismaili.
Gurthemeli për ndërtimin e objektit është vënë në 28 nëntor të vitit 2014. Përfundimin e punimeve brenda mandatit të qeverisjes e kanë premtuar ish-ministrja e Kulturës, Elisabeta Kançevska Milevska, Robert Allagjazovski, i pasuar nga dy ministra shqiptarë – Asaf Ademi (qershor 2018-qershor 2019) dhe Hysni Ismaili (qershor 2019-gusht 2020), si edhe dy ministret e tjera Irena Stefoska (16 muaj) dhe Bisera Kostadinova Stojçevska (2 vjet). Vetëm ministri aktual Zoran Lutkov nuk ka bërë asnjë premtim. Në deklaratat publike është shprehur me doza rezerve, as nuk ka konfirmuar se objekti do të dorëzohet brenda afatit të parashikuar, por as nuk ka përcaktuar datë të re të përfundimit të tij.
“Nuk janë akorduar pak mjete për këtë vit….Do të ndjekim punimet në terren dhe do të vendosim nëse do të shtojmë apo heqim mjete. Me këtë dinamikë nuk mund të përfundojë ndërtimi brenda këtij viti. Jo për fajin tonë, por të atyre që i imponuan këtë dinamikë”, ka thënë ministri.
Po ashtu Qendra e Kulturës në Tetovë, si institucion nacional që funksionon me më shumë institucione nacionale brenda saj, nuk është vizituar nga ministri. Se deri sa mund të zgjasë ky projekt parashikohet në Programin e Qeverisë, zëri – “Ndërtimi infrastrukturor në kulturë 2025-2034” jep një piketë orientimi se brenda kujt harku kohor planifikohet përfundimi i projekteve të prapambetura, si kompleksi Pllaoshnik në Ohër, Salla universale në Shkup, si edhe teatrot në Strumicë, Tetovë dhe Turk në Shkup. /Koha/
