Lotaria Shtetërore ka hedhur poshtë konstatimet e revizionit nga raporti i punës për vitin 2024. Ata akuzojnë revizorët se nuk kanë bërë ndarje të qartë të periudhës se kur janë konstatuar parregullsitë, pasi gjysmë viti Lotaria është udhëhequr nga pushteti LSDM-BDI, ndërsa gjysmë viti nga VMRO DPMNE.
“Informacionet e publikuara janë të pa baza, tendencioze dhe jo të plota sepse aty qëllimisht apo jo, nuk është bërë dallim kohor të periudhës ku me shoqatën ka menaxhuar udhëheqësia e mëparshme e LSDM-së dhe BDI-së dhe periudhës ku përgjegjësinë dhe menaxhimin e mori udhëheqësia e re. Kjo qasje jep pasqyrë të paqartë në opinion, e cila sjellë deri te një lidhje manipulative të konstatimeve në periudha të ndryshme kohore dhe paraqet një devijim serioz nga parimet e informimit objektiv, të saktë dhe të përgjegjshëm”, thonë nga Lotaria Shtetërore.
Nga Lotaria bëjnë të ditur se pas ndryshimit të udhëheqësisë, vullnetarisht kanë kërkuar revizion të raporteve financiare dhe parregullsive eventuale. Thonë se Enti Shtetëror në raport është dashur për çdo parregullsi të theksojë dhe periudhën kohore. Madje u bëjnë thirrje mediave që të përmirësojnë lajmet e publikuara ose përndryshe do të ngritin procedurë gjyqësore për shpifje dhe cenim të reputacionit.
Ndërkohë nga Prokuroria Publike dhe nga Policia Financiare ende nuk e kanë konfirmuar pranimin e raportit dhe nëse për keqpërdorimet do të hapin lëndë hetimore. Raporti i Revizionit konstaton dyshime për keqpërdorime të shumta si për shembull formulime të pavërteta me transaksione të pa logjikshme, blerja e pajisjeve elektronike shumë më shtrenjtë se çmimi real e një pjesë e tyre madje edhe janë zhdukur. Gjithashtu në raport u konstatua se 75 persona janë paraqitur me kontrata në vepër e asnjëherë nuk janë paraqitur në punë. Me Lotarinë Shtetërore deri në gusht të vitit 2024 ka udhëhequr Përparim Bajrami e nga gushti dhe aktualisht Aleksandar Klimovski. /Alsat.mk
