Kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe një nga liderët e AKI, Arben Taravari, ka reaguar ashpër pas hyrjes së “poverenikut” në komunën e Gostivarit. Taravari theksoi se kryetari i komunës zgjidhet vetëm nga qytetarët dhe se “poverenikat”, siç i quajti ai, nuk kanë legjitimitet demokratik, veçanërisht në Gostivar.
Sot në ndërtesën e komunës ka hyrë Fadil Xhelili, i emëruar nga qeveria dhe i mbështetur nga VMRO-VLEN, i cili do të ushtrojë funksionin e ushtruesit të detyrës së kryetarit deri më 11 janar, datë kur mbahen zgjedhjet e përsëritura lokale në Gostivar.
Taravari e quajti këtë ndërhyrje të papranueshme, duke shtuar se qyteti ka treguar qartë se kush gëzon mbështetjen e popullit dhe se “vendimet arbitrare të qeverisë nuk do ta zëvendësojnë vullnetin e qytetarëve”.
Në reagimin e tij, ai nënvizoi se Gostivari nuk pranon eksperimente politike dhe se qytetarët do ta japin përgjigjen e duhur në zgjedhjet e 11 janarit.
