Në pyetjen e fundit të avokatit Lluka Mishetiq, Clark u pyet të sqaronte deklaratën e tij se nuk besonte që ishte drejtë që çdo sjellje e keqe e të tjerëve t’i atribuohej Thaçit.Gjenerali amerikan në pension tha se nuk mendon se Thaçi kishte pasur kontroll mbi njerëzit që kishin kryer akte të dhunës në verën e vitit 1999.Unë nuk mendoj që Thaçi ka pasur kontroll mbi njerëzit që kanë bërë akte të tilla. Së pari nuk është e qartë që dhuna ishte kryer nga UÇK-ja, edhe po të ishte kështu ajo ishte organizuar nga individë të caktuar. Unë kam folur me Mike Jackson për këtë dhe sigurisht ai ka folur me komandantët e tyre dhe kanë qenë në kontakt të UÇK-së. Unë nuk besoj se ka qenë UÇK-ja, por edhe po të ketë qenë UÇK-ja nuk kishte askush kontroll, nuk kishte mekanizëm kontrolli mbi atë çfarë ndodhte në terren. Nuk funksiononte që ju jepnit urdhër dhe prisnit që të zbatohej ai. Ishte më tepër një rezistencë. Njerëzit rezistonin sepse donin të shpëtonin jetën e tyre”, tha ai.
Sipas Clark, ai nuk kishte informacione se UÇK-ja qëndronte pas akteve të dhunës pasi do të sigurohej që ato të ndaleshin.“UÇK-ja e kuptonte qartë se nuk do të merrnin atë që morën, largimi i forcave serbe, po të mos ishte NATO. Ata nuk kishin asnjë mjet që të mbronin veten kundër presionit të forcave serbe. pra, ishte një rast shumë i qartë që motivi i tyre ishte që të dëgjonin dhe të bënin atë që kërkonte KFOR-i”, tha Clark./REL
