Edhe pse shpesh e shohim me biçikletë nëpër qytet, Labinot Ahmeti nga Tetova nuk merret me gara. Për të, biçikleta është pasion, por një pasion që shpesh e çon në udhëtime të gjata drejt destinacioneve që vendos t’i përjetojë mbi dy rrota.
“Një vit e gjysmë e përgatita këtë projekt është rreth e rrotull Mesdheut. Plani ka qenë të dalim në Durrës, nga Durrësi në Itali, në Kalabri poshtë në Siçili, nga Siçilia në Afrikën Veriore, deri në Gjibraltar në Spanjë, në vendet e Andaluzisë, të vazhdojmë në Francë edhe të dalim në Itali, edhe në Itali të ndalemi dhe ta përfundojmë rrugëtimin 4500 deri në 5 mijë kilometra ndoshta”, deklaroi Labinot Ahmeti.Por jo çdo plan përmbyllet sipas pritjeve. Destinacioni final ishte 4,500 kilometra, por një defekt i rëndë teknik e detyroi ta ndërpresë rrugëtimin shumë më herët. Ai arriti vetëm deri në Palermo të Italisë, duke përshkuar 1,280 kilometra.
“Nja 10 kilometra para Dello Albanese në Siçili pata një defekt të madh me biçikletën për të cilën nuk kisha mundësi ta vazhdoj. Paraprakisht kishim disa defekte të vogla të cilët mundesha t’i improvizoj, por kjo nuk u improvizua dhe detyrimisht edhe shkaku disa defekteve të vogla edhe këtij të madhit në fund thashë më mirë do kthej. Dhe ku e kam lënë, nga Palermo, 40 kilometra para Palermos, e kam shty biçikletën. Ku ka qenë për poshtë kam hip, ka shku vetë biçikleta”, tha Labinot Ahmeti.Megjithatë, Labinoti nuk ka hequr dorë nga synimi i tij.
“Edhe tash pas nja 10 ditësh shpresoj të vazhdoj nga aty ku e kam lënë”, u shpreh Ahmeti.Por sa ka kushte Tetova për këtë sport!? Sipas tij, hapësira dhe respekti për çiklistët mungojnë.
“Në qytetin tonë çiklistët nuk respektohen. Kushte ka shumë pak. Ka shumë pak në kushte të inovacioneve tona, ne sa e kemi jorganin t’i shtrimë këmbët edhe ajo nuk është. A nëse marrim të krahasojmë, si në Itali për shembull, është si nata me ditën”, theksoi ai.
Labinoti tashmë ka përshkuar shumë rrugë të vështira: Autostradën e Adriatikut, Stambollin, dhe shumë qytete të tjera. Çiklizmi vitet e fundit po fiton gjithnjë e më shumë terren në Tetovë. Nga qyteti tashmë kanë dalë çiklistë që kanë shkuar me biçikleta deri në Mekë e Medinë, si dhe nga Danimarka deri në Maqedoni.
