Ka shumë gjasa që gjatë kësaj jave kryeministri Hristijan Mickoski të zhvillojë takim me partnerët qeveritarë për t’u marrë vesh për caktimin e të deleguarve të Qeverisë në 4 komunat ku nuk u zgjodh kryetar komune për shkak se nuk u arrit pragu prej të paktën 33,33% në raundin e parë. Nga Qeveria për TV21 thonë se për momentin ende nuk është përcaktuar kur do të zhvillohet ky takim, por nuk ka as informacione zyrtare se kush mund të ulet përkohësisht në karrigen e kryetarit të komunës në Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë-Rostushë dhe Qendër Zhupë.
“Publikun do ta informojmë me kohë kur të caktohet takimi. KSHZ-ja duhet t’i shpallë zyrtarisht zgjedhjet të përfunduara, ekziston një procedurë e përcaktuar qartë në Kodin Zgjedhor”, deklaroi Marija Miteva, zëdhënëse e Qeverisë.
Ndërkohë, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve pritet që në mbledhjen që duhet të mbahet t’i shpallë zgjedhjet të përfunduara dhe më pas të dërgojë njoftim për këtë edhe në Kuvend dhe në Qeveri.
“Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, brenda 15 ditëve nga përfundimi i zgjedhjeve, e njofton Qeverinë. Pas marrjes së njoftimit, Qeveria brenda 15 ditëve emëron një të deleguar për kryerjen e punëve që janë në kompetencë të kryetarit të komunës. Qeveria, më së voni brenda 15 ditëve nga dita e emërimit të të deleguarit, e njofton kryetarin e Kuvendit për të shpallur zgjedhjet për kryetar komune”, thuhet në Kodin Zgjedhor – neni 134.
Zgjedhjet për kryetar komune në këto komuna ndodhen në një afat të ngushtë kohor, pasi mandati i KSHZ-së skadon më 15 janar. Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në takimin e fundit me gazetarët tha se do të bëhet përpjekje që ato të përfundojnë me përbërjen aktuale, pasi siç theksoi, nuk është e drejtë që gjatë procesit zgjedhor të shpallet konkurs për përbërje të re të Komisionit Zgjedhor. Për këtë arsye, është e mundur që mandati i KSHZ-së të zgjatet aq sa të jetë e nevojshme për përfundimin e zgjedhjeve edhe në këto 4 komuna./TV21
