-0.2 C
Tetovo
E shtunë, 23 Nëntor, 2024
BallinaLajmePresidenti i Izraelit: Shembulli i shqiptarëve për shpëtimin e hebrenjve, model unik...

Presidenti i Izraelit: Shembulli i shqiptarëve për shpëtimin e hebrenjve, model unik për të gjithë botën

Presidenti i Izraelit, Reuven Rivlin ka vlerësuar kontributin e shqiptarëve për ndihmën që i kanë dhënë hebrenjve. Rivlin gjatë një takimi me Presidenti shqiptar, Ilir Meta nënvizoi se “shembulli i popullit shqiptar për shpëtimin e hebrenjve përbën një model unik për të gjithë botën”.

Nga ana e tij Presidenti shqiptar Meta gjeti rastin për të  falënderuar homologun izraelit për mesazhet e solidaritetit pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar në Shqipëri, vlerësoi operacionet e kërkim-shpëtimit izraelite që erdhën menjëherë pas tërmetit, si edhe punën e grupeve të specializuara për vlerësimin e ndërtesave të dëmtuara.

 “Ne jemi thellësisht mirënjohës për mbështetjen mbresëlënëse të Izraelit gjatë atyre ditëve”, – u  shpreh Kreu i Shtetit.

Më tej Meta vuri në dukje faktin se Shqipëria dhe Izraeli gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera dhe se të dy vendet e popujt tanë ndajnë të njëjtat vlera të lirisë dhe demokracisë.

“Ndihem krenar që jam kreu i një shteti ku antisemitizmi jo vetëm nuk ka ekzistuar kurrë, por edhe i një vendi ku numri i hebrenjve jo vetëm u shumëfishua gjatë Luftës së Dytë Botërore, por asnjë prej tyre nuk iu dorëzua pushtuesve. Ne do të jemi bashkë, edhe në përpjekjet për t’i mbrojtur këto vlera nga kërcënimet e përbashkëta si terrorizmi, ekstremizmi i dhunshëm dhe fondamentalizmi fetar”, – nënvizoi Kreu i Shtetit.

Presidenti Meta inkurajoi rritjen e investimeve izraelite në Shqipëri.

“Shqipëria ka shumë për të mësuar nga Izraeli rreth përdorimit të teknologjisë, për të nxitur zhvillimin ekonomik. Në të njëjtën kohë, edhe ne kemi shumë për t’iu ofruar investitorëve, si dhe turistëve izraelitë që duan të vizitojnë vijën tonë të mrekullueshme të bregdetit, malet tona të larta dhe vendet tona historike,” – theksoi Presidenti Meta.

Presidenti Reuven Rivlin pranoi ftesën e Ilir Metës për të vizituar Shqipërinë.

Meta ndodhet në Izrael me ftesën të homologut Rivlin për të marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Liderëve për të përkujtuar Ditën e Kujtesës së Holokaustit dhe 75-vjetorin e Çlirimit të kampit të Aushvitz-Birkenau.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments