12.9 C
Tetovo
E premte, 10 Tetor, 2025
BallinaLajmeBotaPolitikania nga Venezuela, Maria Corina Machado, fitoi Nobelin për Paqe

Politikania nga Venezuela, Maria Corina Machado, fitoi Nobelin për Paqe

Politikania Maria Corina Machado është shpërblyer me Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2025, ka bërë të ditur Komiteti Norvegjez i Nobelit, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Komiteti ka thënë se ajo është përzgjedhur për punën e saj të palodhshme në promovimin e të drejtave demokratike për popullin e Venezuelës dhe për përpjekjet e saj për tranzicion paqësor nga diktatura në demokraci.

“Kur autoritarët e marrin pushtetin, është jetike që të njihen mbrojtësit guximtarë të lirisë, të cilët ngrihen dhe rezistojnë”, është thënë në deklaratën e Komitetit.

Çmimi Nobel për Paqe, në vlerë të rreth 1.2 milion dollarëve, do të ndahet edhe zyrtarisht në një ceremoni të organizuar në Oslo më 10 dhjetor.

Ceremonia mbahet gjithmonë në datën e njëjtë, për të shënuar edhe përvjetorin e vdekjes së industrialistit suedez, Alfred Nobel, me dëshirën e tij të cilit janë krijuar çmimet më 1895.

Machado, 58-vjeçare, inxhiniere, është bllokuar më 2024 nga gjykatat e Venezuelës për të garuar për presidente dhe për ta sfiduar Nicolas Maduron, i cili ka qenë në krye të pushtetit prej vitit 2013.

Kristian Berg Harpviken, sekretar i Komitetit, ka thënë se ka biseduar në telefon me Machadon pasi është bërë i ditur vendimi.

“Ajo ka thënë se është shumë e gëzuar dhe që çmimi i takon gjithë lëvizjes, lëvizjes në Venezuelë që lufton për demokracinë”, ka deklaruar Harpviken.

Ende nuk është bërë e qartë nëse ajo do të marrë pjesë në ceremoninë e 10 dhjetorit.

Ajo është shtetasja e parë nga Venezuela që e fiton Çmimin Nobel për Paqe dhe e gjashta nga Amerika Latine.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut e ka mirëpritur ndarjen e çmimit për Machadon, duke e konsideruar njohje të “aspiratave të qarta të popullit të Venezuelës për zgjedhje të lira dhe të drejta”.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments