Deputetja nga radhët e BDI-së, Rina Ajdari, ka reaguar ashpër pas njoftimeve se uniformat e reja të policisë në Maqedoninë e Veriut do të jenë vetëm në gjuhën maqedonase, pa përfshirë gjuhën shqipe, ndonëse ligji e parasheh qartë përdorimin e saj në institucionet shtetërore ku shqiptarët përbëjnë mbi 20% të popullsisë, njofton Top24
Në një postim të publikuar sot, Ajdari akuzon drejtpërdrejt përfaqësuesit shqiptarë në qeverinë aktuale – të përbërë nga VMRO-DPMNE dhe koalicioni VLEN – se nuk po e përmbushin misionin e përfaqësimit, por po i nënshtrohen vendimeve diskriminuese, duke “shitur zërin e shqiptarëve për privilegje personale, tenderë dhe poste”. Ajo thotë se në vend të mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve që i kanë zgjedhur, këta përfaqësues heshtin, tundin kokën dhe i drejtohen palës tjetër me “si të thoni ju, zotëri”.“Nuk kemi nevojë për individë që palës tjetër i drejtohen me: ‘si të thoni ju, zotëri’; që tundin kokën për çdo vendim të qeverisë, por për njerëz që mbrojnë interesin e qytetarëve që i kanë zgjedhur”, shkruan Ajdari në reagimin e saj.
Ajo e mbyll postimin me një mesazh thumbues për ata që ndihen të shqetësuar nga reagimet publike dhe kërkesat për llogaridhënie, duke shtuar:
“Mos po na shqetësohen që reagojmë, se janë të ndjeshëm kur ua përmendim dështimet dhe ju kërkojmë llogari.”
Ajdari ka shoqëruar postimin me hashtagët #vjendita dhe #tetorireferendum, duke lënë të kuptohet se pakënaqësia me qeverinë aktuale mund të pasqyrohet në mënyrë të qartë në referendumin që paralajmërohet për muajin tetor.