Pas afatit të fundit për dorëzimin e listave të kandidatëve për kryetarë komunash dhe këshilla të komunave dhe Qytetit të Shkupit, në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit, në komisionet zgjedhore komunale janë dorëzuar gjithsej 312 lista kandidatësh për kryetarë komunash dhe 575 lista kandidatësh për këshilltarë të komunave dhe Qytetit të Shkupit. Ky numër përfshin listat e kandidatëve nga partitë politike dhe listat e dorëzuara nga një grup votuesish.Numri më i madh i listave të kandidatëve për kryetarë komunash dhe këshilla është dorëzuar për Qytetin e Shkupit, përkatësisht gjithsej 18 lista kandidatësh për kryetar komune të Qytetit të Shkupit dhe 20 lista kandidatësh për anëtarë të Këshillit të Qytetit të Shkupit.
Në përputhje me afatet për zgjedhjet lokale 2025, KKZ-ja paraqet kërkesë te institucionet që posedojnë të dhëna për përmbushjen e kushteve menjëherë pas marrjes së listës, pra jo më vonë se 14 shtatori.
Pas përfundimit të verifikimit të përmbushjes së kushteve dhe procesit të heqjes së çdo parregullsie ose lëshimi në listat e kandidatëve, komisionet zgjedhore komunale i dorëzojnë listat e konfirmuara në Komisionin Shtetëror Zgjedhor për përcaktimin e renditjes në listën unike të kandidatëve, menjëherë pas konfirmimit të listës, pra jo më vonë se 20 shtatori 2025.
Pas përfundimit të procesit të kontrollit të dokumentacionit dhe përmbushjes së kushteve ligjore dhe konfirmimit nga KKZ-ja, KSHZ-ja do të publikojë të gjitha listat e konfirmuara sipas komunave që do të marrin pjesë në zgjedhje.
Më së voni deri më 27 shtator, partitë politike që marrin pjesë në procesin zgjedhor duhet të nënshkruajnë Kodin për Zgjedhje të Drejta dhe Demokratike.
Fushata zgjedhore fillon më 29 shtator dhe do të zgjasë deri më 17 tetor. Më 19 tetor, votimi do të zhvillohet në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit në 3,480 vendvotime. Rrethi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet më 2 nëntor.