Ekspertë nga Sllovenia, Italia, Austria ose Gjermania do të vërtetojnë nëse janë bërë operacione të panevojshme në spitalet private. Lista me emrat e ekspertëve të huaj, siç paralajmëroi minisri i Shëndetësisë, Azir Aliu, duhet të kompletohet sot.
Aliu të shtunën deklaroi se një ekspert do të jetë nga Sllovenia, i dyti është vendosur të jetë nga Italia, ndërsa për përzgjedhjen e të tretit në lojë janë emra nga Austria dhe Gjermania.
Ministria e Shëndetësisë do të nënshkruajë me ta marrëveshje me qëllim që të vërtetohen se kanë kryer intervenime të panevojshme tek pacientët në klinikat private.
Vendimi për angazhimin e ekspertëve të huaj, sipas ministrit Aliu, është për shkak të objektivitetit më të madh dhe vërtetimit të imazhit të duhur.
Ministri theksoi se institucionet shëndetësore private do të duhet detyrimisht t’i hapin bazat e tyre të të dhënave që të përcillet shtegu shëndetësor i çdo qytetari.
“Tashmë punon komisioni tek ne, nëse ka pengesa ligjore që të mënjanohen menjëherë, javën e ardhshme dhe do të lëshojmë letër deri te të gjitha institucionet shëndetësore private nga data 15 muajin e ardhshëm që t’i hapin detyrimisht bazat që të mund t’i agregojmë të gjitha informacionet ekzistuese që janë atje në institucionet e tyre. Kjo është e drejtë e shtetit. Meqë çdo qytetar direkt ose indirekt kontribuon drejt sistemit shëndetësor në vend dhe drejt Fondit dhe prandaj, ne duhet të jemi në rrjedhë me shtegun shëndetësor të çdo qytetari në vend”, tha Aliu.
Drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Klekovski të shtunën dërgoi apel deri te qytetarët e dëmtuar të mundshëm në kardiokirurgji dhe deri te të gjithë pacientët të ngrejnë padi.
Deklarata e Klekovskit vjen pasi kardiokirurgu Sashko Kedev deklaroi disa ditë më parë se disa spitale private po kryejnë ndërhyrje të panevojshme për qëllime përfitimi, përfshirë vendosjen e stentit dhe operacionet. Pas kësaj deklarate, Ministria e Shëndetësisë njoftoi formimin e një komisioni me ekspertë nga tre vende të ndryshme për të inspektuar punën e institucioneve private shëndetësore, si dhe vazhdimin e kontrolleve në institucionet publike shëndetësore që merren me të njëjtën çështje.