Kremlini tha se negociatorët nga Shtetet e Bashkuara janë nisur drejt Rusisë, ku pritet të kenë kontakte me palën ruse.
“Në të vërtetë, negociatorët janë duke udhëtuar me avionë, është planifikuar që të ketë kontakte. Do t’iu tregojmë më vonë se çfarë do të ndodhë”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, kur u pyet nga gazetarët që të komentonte deklaratat e bëra nga presidenti amerikan, Donald Trump, se negociatorët amerikanë ishin rrugës për në Rusi.
Peskov tha po ashtu se presidenti rus, Vladimir Putin, planifikohet të zhvillojë një “bisedë telefonike ndërkombëtare” mbrëmjen e së enjtes.Një ditë më parë, Trump tha se përfaqësuesit amerikanë ishin nisur drejt Moskës për të negociuar për një marrëveshje të mundshme me Ukrainën, pasi Kievi u pajtua për një armëpushim 30-ditor. Trump nuk specifikoi se kush ishte pjesë e ekipit negociues, por tha se shpreson që ata do të jenë në gjendje të arrijnë që Rusia të pranojë një armëpushim.