Katër objekteve të qendrës për punë sociale në Mitrovicën e Veriut janë mbyllur në mesin e dyshimeve se aty janë kryer “veprime të paligjshme lidhur me procesin zgjedhor”.
Policia e Kosovës njoftoi se kishte bastisur objektet e kësaj Qendre në tre komuna me shumicë serbe në veri – Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan – dhe nënvizoi se gjatë aksionit nuk ka pasur asnjë të arrestuar. Nga sa pohoi zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, dyshimet janë për “veprën penale të falsifikimit të dokumenteve”.
Për kontrollet në fjalë, policia kishte kërkuar leje nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, nisur nga fakti që katër punonjës të kësaj Qendre në Zubin Potok ishin arrestuar më 8 shkurt për “shkelje të vullnetit të votuesve”.
Sipas deklaratës, këta zyrtarë të “institucioneve paralele dhe ilegale” dyshohet se kanë telefonuar qytetarët dhe i kanë kërcënuar, ose i kanë treguar se si të votojnë, duke i kushtëzuar me pagesën e ndihmës sociale. Shpjegimi i policisë nuk e ka bindur Listën Serbe, e cila reagoi me pretendimin se kryeministri Albin Kurti “po i shfrytëzon ditët e fundit për të sulmuar edhe një herë gjithçka serbe”.
“Lista Serbe e dënon ashpër këtë veprimtari të paligjshme dhe antiserbe të falangës së Kurtit dhe dërgon mesazh se asnjë nga të punësuarit apo shfrytëzuesit e përfitimeve sociale nuk do të mbetet pa të drejtat e veta dhe se sot kryesia e partisë sonë do të takohet me të punësuarit dhe do të ofrojë të gjithë mbështetjen e mundshme”, thuhet në deklaratën e partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të dënojë “lëvizjet që rrezikojnë sipas saj, mijëra përfitues të mirëqenies sociale”.
Top Channel