Spartak Ngjela komentoi protestën e PD para Prokurorisë së Posaçme ditën e sotme, duke e cilësuar “të dobët”, teksa fajësoi Berishën se ‘po mban peng dhe skllave PD”.
Avokati u shpreh se “Saliu kujton se është ende në vitin 1990 dhe duhet të largohet nga drejtimi i partisë”, duke i kujtuar edhe faktin se tashmë është “non grata” dhe vetëm “i bie më qafë Shqipërisë”.
“Protesta ishte e dobët. Nuk ka shtet modern që të bëjë protestë para Gjykatës, vetëm Saliu që nuk e di fare se në çfarë sistemi është, ai kujton se është akoma në vitin 1991. Po i bie më qafë Shqipërisë, do shohim do dënohet a jo, ai është në proces penal. Po a bëhen revolta kundër pushtetit gjyqësor, ai është pushtet i pavarur, kush është ky që bën protesta? Ai kujton se është ende në 1990”, u shpreh Ngjela për Report TV.
Më tej ai u pyet edhe në lidhje me procesin ndaj Ilir Metës dhe skenarët e mundshëm për ta dëmtuar punën e SPAK në vijim. Por avokati u tregua i qartë, se SPAK nuk komandohet nga shqiptarët, por nga amerikanët, duke lënë të kuptohet se nuk ka skenarë që e dëmtojnë apo ndalojnë punën e drejtësisë së re.
“SPAK-un nuk e drejtojmë ne, e drejton politika amerikane, Uashingtoni, ai e paguan dhe ka ekspertët e tij atje. S’e kemi ne SPAK në dorë, ku e dini ju se sa i ka rrogat SPAK-u?”, tha avokati.I pyetur për zgjedhjet e 11 Majit 2025 dhe përgatitjet e partive, Ngjela u shpreh se Berishës i dalin shumë keq sondazhet, kurse Rama duket se vijon punën normalisht drejt mandatit të radhës.
“E majta po përgatitet për zgjedhje normale. Ka paraqitur programin e saj, bravo i qoftë. Zgjedhjet janë domosdoshmëri, sa më shpejt aq më mirë e kanë. Kurse PD-së me Saliun i dalin shumë keq sondazhet. Më erdhën mua sondazhet nga ekspertët dhe dalin shumë keq. Ai duhet që të iki nga PD, e mban kot peng e skllav, është edhe non grata nga Amerika, ai duhet të iki nga ajo parti”, vijoi avokati.
Në fund edhe një mendim për votën e emigrantëve, për të cilët Ngjela u shpreh se “deri tani u është shkelur e drejta”, duke shtuar se partitë e mëdha i kanë frikë emigrantët, për shkak se janë 1 milionë vota, pasi “e duan Shqipërinë për veten e tyre”.
“Nuk e dimë me kë janë emigrantët. Nuk ka dalë ligji akoma, duhet parë ligji, pasi nuk ka dalë akoma. Të dyja të moralshme janë, votimin e paguan shteti, është normale, le të bëhet. Votimi i emigrantëve është domosdoshmëri se është shkelje e të drejtave të njeriut. Kudo të jetë duhet të votojë, ai që ka shtetësinë shqiptare.
Shteti shqiptar duhet t’i garantojë, nëse nuk i garanton, ka bërë devijim nga të drejtat e njeriut. Ku e di Rama se me kë janë ata, apo ku e di Saliu me kë janë, teksa janë 1 mln emigrantë. Këta që s’duan votën e emigrantëve, nuk duan Shqipërinë, jo votën, e duan ta kenë Shqipërinë të tyren. Do votojnë në ambasada dhe konsullata, kush do i pengojë, askush, për këtë tremben këta? Rama e ka pranuar si proces, tani të shohim”, përfundoi avokati.