Deri në fund të vitit do të publikohet shpallje për punësimin e përhershëm të rreth 1.100 personave, personel i mesëm mjekësor në institucionet shëndetësore publike të vendit, të cilët aktualisht punojnë me kontratë. Kështu ka bërë të ditur sot ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve se ku ka deficit më të madh të kuadrove të tilla në institucionet shëndetësore dhe si mund i njëjti të mbahet në vend.
“Në personelin e mesëm mjekësor, përveç infermierëve, këtu janë edhe ndihmësit dhe laborantët… Mirëpo kjo shpallje nuk do të mbulojë mungesën e këtij personeli. Kjo nuk mjafton, do të kemi nevojë për punësime përsëri”, tha ai.
Ai theksoi se stafi sekondar mjekësor është shtylla e sistemit shëndetësor dhe ky njoftim është pjesë e strategjisë së shtetit për mbajtjen e tyre në vend, së bashku me disa masa të tjera të marra këtë vit.
“Këtë vit do të pranojmë 300 specializantë dhe vitin e ardhshëm po kaq. Do të punësojmë mbi 1000 personel të mesëm mjekësor, kemi kontratë kolektive, rritje pagash. Nuk e di se çfarë mund të kishim bërë më shumë në gjashtë muaj. Këto janë probleme të akumuluara, që nga viti 2017”, thotë Taravari.
I pyetur se a ka mungesë të barnave në Klinikën e Onkologjisë, Taravari tha se nga sot dy barnat biologjike, të cilat vetëm disa ditë ishin në mungesë, janë në dispozicion të pacientëve onkologjikë.
Ai theksoi se procedurat për blerjen e këtyre barnave janë komplekse dhe duhet të ndiqen pasi janë tenderë ndërkombëtarë.
Kujtojmë se Maqedonisë së Veriut i mungojnë të paktën 1000 mjekë.
Ndryshe, edhe Komisioni Evropian në raportin e fundit për progresin e Maqedonisë thekson se edhe pse mbrojtja shëndetësore primare sigurohet falas, financimi i saj është dukshëm nën mesataren e Bashkimit Evropian. KE poashtu rikujton se punonjësit shëndetësorë vazhdojnë të largohen nga shëndetësia publike drejt sektorit privat ose për të punuar jashtë vendit. Gjithashtu theksohet se pavarësisht ekzistencës së aplikacionit “e-shëndetësi”, udhëzimet ende jepen në letër.