Presidenti francez Emmanuel Macron priti të shtunën Presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara Donald Trump për bisedime në Pallatin Elize në Paris, përpara se të dy udhëqësit të merrni pjesë në një ceremoni për të shënuar rihapjen e Katedrales Notre-Dame pesë vjet pasi ajo u dëmtua rëndë nga zjarri.
Udhëtimi në Francë shënon kthimin e zotit Trump në skenën botërore, ndërsa përgatiet për t’u përballur me një mori krizash ndërkombëtare kur të marrë detyrën më 20 janar.
Dy udhëheqësit u përshëndetën ngrohtësisht në shkallët e Pallatit Elize. Është udhëtimi i parë i zotit Trump jashtë vendit që kur fitoi zgjedhjet presidenciale një muaj më parë dhe kjo vizitë mund t’i ofrojë zotit Macron një mundësi për të luajtur rolin e ndërmjetësit midis Evropës dhe zotit Trump, një rol që udhëheqësi francez e ka luajtur edhe në të kaluarën.
Presidenti i zgjedhur Trump i tha Presidentit Macronit se kishin shënuar “sukses vërtet të madh” kur kishin bashkëpunuar gjatë mandatit të tij të parë në detyrë.
“Dhe sigurisht bota duket disi e çmendur aktualisht. Dhe ne do të flasim për këtë,” vazhdoi zoti Trump.
Megjithëse nuk është bërë publike ndonjë axhendë për bisedimet e tyre, udhëheqësit evropianë janë të shqetësuar se zoti Trump mund të ndalë ndihmën ushtarake të SHBA-së për Ukrainën në një moment vendimtar në luftën e saj për të zmbrapsur agresionin rus.
Presidenti Macron është një përkrahës i fortë i aleancës së NATO-s dhe luftës së Ukrainës, ndërsa zoti Trump mendon se vendet evropiane duhet të paguajnë më shumë për mbrojtjen e tyre të përbashkët dhe fundi i luftës në Ukrainë duhet të sigurohet përmes një zgjidhjeje e negociuar.